Jorida Tabaku apo Lulzim Basha në krye të PD-së?
Aktualitet Kryesore E Martë, 6 Qershor 2023 11:26
Jorida Tabaku, deputete e PD, tashmë me një detyrë e cila mund të quhet si drejtuese de facto e Partisë Demokratike zyrtare, ka filluar takimet zyrtare.
Ajo ka postuar foto me Ali Ahmetin. Dhe pas takimit, Tabaku shkruan: “Kënaqësi krejt e veçantë diskutimi me Ali Ahmetin!
Duhen bë të gjitha, tha me urtësinë e një politikani të vjetër, duhet me ba patjetër. Po s’e bamë ne tre vendet tona kush do ta bëjë? Duhet ba dhe infrastruktura edhe energjia, po me aq patjetër edhe arsimi dhe gjuha!
Po, duhet me tejkaluar dhe ne veten tonë! Të shohim larg! T’i heqim këto kufijtë natyrorë e punojmë për shqiptarët!”– përfundon statusin e saj Jorida Tabaku, e cila ndodhet në Maqedoninë e Veriut.
Ndërkohë Lulzim Basha ka nisur turin nëpër rrethet e Shqipërisë me synimin për marrjen e kreut të PD-së.
Por Jorida Tabaku nga pak e përditë duket se po forcon pozitat si lidere në PD.
Nuk dihet nëse Tabaku po synon seriozisht të jetë kryetare edhe de jure në PD apo Lulzim Basha do ta sfidojë në zgjedhjet e pritshme në këtë parti.
Kolegji i kryetarëve të PD ka vendosur një kusht kryesisë dhe grupit të deputetëve antiBerisha që deri me 15 korrik 2023 duhet votuar për zgjedhjen e kryetarit të ri të PD.
Nga ana e tij Sali Berisha insiston se ai është kryetar i demokratëve, por gjykata nuk i jep vulën dhe emrin e partisë, të cilën ai drejtoi në këto vite të pluralizmit.