FIFA World Cup 2026 11 Qershor - 19 Korrik 2026
00 ditë
00 orë
00 minuta
00 sekonda

Jorida Tabaku: Biznesi ka nevojë për më shumë kohë dhe mbështetje në procesin e mbylljes së kapitujve

Procesi i integrimit europian nuk përfundon me miratimin e ligjeve, por kërkon mbi të gjitha zbatimin e tyre. Ky ishte mesazhi që përcolli deputetja Jorida Tabaku, e cila, pas disa mandatesh në Kuvendin e Shqipërisë dhe angazhimit në administratën e lartë në fushën e integrimit europian, bëri një bilanc të sesionit parlamentar që po mbyllet. Sipas Tabakut, përparimi drejt Bashkimit Europian mbetet i lidhur me sfida të rëndësishme, ndërsa theksoi nevojën që procesi i përafrimit të legjislacionit të shoqërohet me më shumë kohë për konsultim dhe zbatim. Ajo apeloi që biznesit t’i jepet koha e nevojshme për t’u përshtatur me ndryshimet ligjore, duke vlerësuar se kjo është thelbësore për një integrim të suksesshëm.

”Unë kam qenë zëvendësministër i Integrimit në vitin 2009, kur Mali i Zi pyeste: ‘Si po ia dilni ju?’, ndërkohë që sot Mali i Zi ka mbyllur 17 kapituj, ndërsa ne kemi mbyllur vetëm tre të parët. Kjo lidhet edhe me normën e absorbimit dhe me presionin që ka shoqëria për ta zbatuar legjislacionin shqiptar. E përsëris edhe një herë: ne duhet që këtë proces të mos e shohim me sy burokratik, por ta shohim ashtu siç është. Është, së pari, një proces politik; është proces ekonomik; është proces social; është proces moral. Pra, është një proces gjithëplanësh. Pikërisht në këtë këndvështrim duhet ta shohim, duke menduar se si do të jetë ky legjislacion kur të zbatohet nga qytetarët dhe nga bizneset.

Pjesa më e madhe e këtyre ligjeve vijnë pa konsultim, pa një debat të gjerë kombëtar, pa një analizë të kostove dhe implikimeve për biznesin. Me shqetësim kam ndjekur komentet e dhomave të tregtisë, të përfaqësuesve të bizneseve prodhuese dhe të përfaqësuesve të fermerëve, të cilët thonë se, nëse duam të nxitojmë me miratimin e ligjeve, duhet të kuptojmë se ky nuk është një proces letrash që kalojnë në Parlament, por një proces standardesh dhe normash që biznesi, i pari, duhet t’i zbatojë.

Swiss Digital Desktop Reklama

Një pjesë e madhe e këtyre ligjeve kalojnë me një procedurë shumë të shpejtë, pa pasur kohë për debat parlamentar apo për shqyrtim në komisione. Miratojmë ligje që shoqërohen me një listë të gjatë vendimesh të Këshillit të Ministrave për zbatimin e tyre, të cilat nuk mund të hyjnë në fuqi menjëherë, por kërkojnë gjashtë muaj, një vit ose dy vjet kohë. Ne duhet të jemi gati që paketat ligjore të vijnë këtu me cilësi, të vijnë në kohë, të konsultohen me biznesin dhe, njëkohësisht, të shohim edhe impaktin që ka zbatimi i tyre”,-thotë deputetja e PD-së.

Swiss Digital Mobile Reklama

Sfida edhe më e madhe e asaj që e pret vendin dhe ligjvënien shqiptare në sesionin e ardhshëm lidhet edhe me kapitujt e bisedimeve të anëtarësimit me ndikimin më të madh ekonomik. ”Nga 20% e produktit të brendshëm bruto, ka shkuar në 16% dhe po shkon në 14%. Është duke rënë, ndërkohë që bujqësia është një sektor që mban gjallë 300.000 shqiptarë. Bujqësia ka një nga legjislacionet më të vështira: legjislacioni për pesticidet, për farat, për çdo lloj ndikimi që ka në këtë proces. Nëse ne nuk subvencionojmë produktet shqiptare këtu në tregun shqiptar dhe në tregun rajonal, do të jemi të vdekur.

Sot, si rezultat i zhvlerësimit të euros, produktet shqiptare kushtojnë 30% më shtrenjtë po t’i nxjerrësh nga kufiri, dhe bizneset në Shqipëri janë duke preferuar të blejnë produkte nga jashtë sepse u bie më lirë. Nëse ne nuk kemi fondet e IPARD-it, që i mungojnë sektorit të bujqësisë prej tre vitesh, kjo e bën akoma më të shtrenjtë produktin, sepse nuk ka absolutisht asgjë të subvencionuar, ndërkohë që BE-ja subvencionon, rajoni subvencionon. Për këtë problem flasim dhe për këtë presion flasim. Ky është presioni në rritje për të përmirësuar cilësinë e produkteve dhe standardet e produkteve. Por nga ana tjetër është edhe presioni në rritje për të konkurruar. Askush nuk të fal asgjë”,-thotë Tabaku.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Protesta po prodhon edhe dhunë, a jeni dakort me këtë menyrë reragimi?