
Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas fitores së Kombëtares shqiptare ndaj Finlandës, duke ndarë një moment nga darka e Komunitetit Politik Evropian, ku ishte i pranishëm së bashku me kryeministren italiane Giorgia Meloni dhe kryeministrin e Finlandës.
Në një video të publikuar nga makina, Rama tregoi se në të njëjtën darkë, në një tavolinë ngjitur, ndodhej edhe presidenti francez Emmanuel Macron. Kreu i qeverisë shqiptare tha se nuk mund të qëndronte pa reaguar për fitoren e kuqezinjve, duke falënderuar lojtarët e Kombëtares për rezultatin ndaj Finlandës.
Italia kishte fituar përballë Francës, çka e bëri edhe më të veçantë atmosferën në tryezën ku ndodheshin Rama dhe Meloni. “Shqipëria fitoi, Italia fitoi edhe bashkë me ‘motrën’ e mbyllëm me fitore darkën sot”, u shpreh Rama në reagimin e tij.
Kryeministri e shoqëroi mesazhin me humor, duke kërkuar ndjesë për errësirën në video, pasi ndodhej në makinë menjëherë pas përfundimit të darkës.
Fjala e plotë
Nuk rrija dot pa ndërhyrë këtu, ku jam në makinë, po ishim në darkën e Komunitetit Politik Evropian edhe ishim në një tavolinë me Giorgia Melonin edhe me Kryeministrin e Finlandës edhe me disa të tjerë.
Në tavolinën ngjitur ishte dhe Presidenti i Francës dhe nuk kam fjalë për t’i përshëndetur edhe falenderuar çunat e kombëtares kuq e zi, se na dhanë një fitore fantastike me Finlandën.
Ndërkohë, Italia fitoi me Francën dhe e merrni vetë me mend se si shkoi muhabeti, kështu që ndjesë për errësirën, po jam në makinë se sa dolëm nga darka dhe ishte super.
Shqipëria fitoi, Italia fitoi edhe bashkë me “motrën” e mbyllëm me fitore darkën sot.