Jorida Tabaku: Korrupsioni, zgjedhjet dhe çështja e imunitetit po pengojnë integrimin në BE
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, ka deklaruar se problematikat që lidhen me korrupsionin, procesin zgjedhor dhe funksionimin e institucioneve mbeten pengesa serioze për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Në një deklaratë për mediat jashtë Kuvendit, Tabaku iu referua raportit të fundit të Parlamenti Europian, duke theksuar se dokumenti përmban një numër të lartë amendamentesh dhe evidenton shqetësime të shumta për situatën në vend.
Sipas saj, një nga çështjet kryesore të ngritura në raport lidhet me standardet zgjedhore dhe rekomandimet e OSBE/ODIHR për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
“Raporti bën thirrje për një reformë gjithëpërfshirëse zgjedhore dhe përfshirjen e opozitës në proces. Gjithashtu ngre shqetësime për luftën kundër korrupsionit, rolin e Parlamentit dhe të gjykatave”, deklaroi Tabaku.
Deputetja demokrate u ndal edhe te çështja e imunitetit parlamentar, duke përmendur rastin e Belinda Balluku, për të cilin sipas saj Parlamenti Europian kërkon trajtim me prioritet dhe në përputhje me kuadrin kushtetues.
Tabaku tha se raporti i kushton vëmendje edhe lirisë së medias, presioneve ndaj gazetarëve dhe përdorimit të padive strategjike, ndërsa kritikoi disa iniciativa ligjore të qeverisë, të cilat sipas saj cenojnë standardet demokratike.
“Miratimi i ligjeve si ai i porteve, AKSHI-t dhe investimeve strategjike, si edhe mosvotimi i imunitetit, janë pengesa reale për procesin e integrimit”, u shpreh ajo.
Sipas Tabakut, raporti duhet të shërbejë si një plan pune për qeverinë në funksion të përmbushjes së detyrimeve ndaj Bashkimit Europian.
KOHA JONË SONDAZH

