Jorida Tabaku me senatorin italian: Shqipëria nuk ka asnjë dyshim që i përket BE
Kryetarja e Komisionit të Çështjeve Europiane, Jorida Tabaku zhvilloi sot një takim zyrtar me kryetarin e Komisionit të Çështjeve Europiane në Senatin italian, Giulio Terzi, i cili po viziton Shqipërinë së bashku me anëtarët e tjerë të këtij komisioni. Në përfundim të takimit, Tabaku falënderoi homologun italian për mbështetjen që Italia i ka dhënë Shqipërisë në procesin e integrimit europian dhe për ndihmën e ofruar në miratimin e marrëveshjes për pensionet midis dy vendeve.
Gjatë konferencës për shtyp, deputetja demokrate e vuri theksin tek dy shqetësime kryesore: roli i pazëvendësueshëm i opozitës në procesin politik të vendit dhe rëndësia e zgjedhjeve të lira e të ndershme. Ajo theksoi se opozita duhet të ketë një hapësirë më të madhe në Parlament dhe të jetë një pjesëmarrëse aktive në balancimin e pushteteve.
“Shqipëria nuk ka asnjë dyshim që i përket BE, që Shqipëria është gjeografikisht në Europë dhe në emër të opozitës e konfirmova që nuk ka asnjë të ardhme tjetër për Shqipërinë përveç këtij procesi, por na takon ne që ta bëjmë Shqipërinë Perëndim dhe për këtë arsye shqetësimet që unë ngrita me zotin Terzi lidhen me të gjitha kriteret e detyrimet që Shqipëria duhet të plotësojë në këtë proces, duke u fokusuar tek dy elementë kryesorë”, tha Tabaku.
“I pari, roli i opozitës në këtë proces, roli i opozitës në procesin politik në Shqipëri, rëndësia që ka përfshirja e opozitës dhe hapësira që duhet të ketë opozita në Parlament po dhe balanca e pushteteve me rolin që duhet të luajë Parlamenti dhe së dyti, rëndësinë e procesit zgjedhor që ne kemi vitin e ardhshëm. Të gjithë jemi koshient dhe kemi qenë prezent kur Shqipëria në raport pas raporti, por dhe në cilësimet e Komisionit Europian dhe jo vetëm edhe në raportin e fundit të OSBE-ODIHR, ka pasur shqetësim zhvillimin e zgjedhjeve. Ne nuk mund të lejojmë dhe nuk mund të pranojmë që një vend i cili pret që të hapë negociatat të ketë akoma sfida dhe standarde për zgjedhjet që sigurisht nuk i takojnë një vendi në këtë proces”, theksoi Tabaku.
Ajo përfundoi deklaratën duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit me partnerët ndërkombëtarë, si Italia, si dhe e falënderoi senatorin Terzi për mbështetjen e tij të vazhdueshme për Shqipërinë, veçanërisht në çështjen e pensioneve. Gjatë një konference të përbashkët për shtyp, e pyetur për idenë e krijimit të Shtetit Sovran të Urdhrit Bektashi, deputetja demokrate Tabaku tha se, ka një shqetësim të ligjshëm për këtë çështje.
“Unë besoj që ka një shqetësim të ligjshëm që ka ardhur nga të gjithë qytetarët dhe jo vetëm për faktin që vendime të rëndësishme për Shqipërinë dhe vendin tonë ne i marrim nga mediet ndërkombëtare. Ka shumë shqetësime të cilat lidhen me procesin e integrimit evropian dhe me zbatimin e Kushtetutës, por unë doja të përdorja një moment tjetër dhe fokusin dua ta mbaja tek diskutimi jonë këtu dhe që kemi një mik që po na ndihmon, po na mbështet dhe po jep hapësirën edhe për pyetje që lidhen me procesin e integrimit”, u shpreh Tabaku.