Jorida Tabaku: Ndërtimi, sektori bankar dhe e ardhmja
Aktualitet Ekonomi E Diel, 30 Prill 2023 13:31
Nga Jorida Tabaku-
Për vite me rradhë kam denoncuar degradimin e ndërtimit në Tiranë si dhe lidhjen me pastrimin e parave të pista në sektorin e ndërtimit. Pak vite më parë në një komunikim zyrtar me bankën e Shqipërisë për të konfirmuar nëse volumi i kredive të sektorit bankar justifikonte volumin e ndërtimit përgjigja zyrtare ishte se sekrori i ndertimit financohej nga “burime alternative”.
Sot, kur më Tiranë po ndërtohet 1.8 mln m2 ndërtim dhe qyteti po shpërfytyrohet duke mbuluar e zhdukur çdo simbol të qytetit, ndërtimi po kthehet në një rrezik dhe për sektorin bankar.
Risku i kredive që sektori bankar është i ekspozuar është më i larti në rajon! 37 përqind e kredive të sektorit bankar janë për ndertimin, pa perfshirë këtu burimet alternative, paratë që nuk vijnë nga sektori bankar, duke e bërë ndërtimin jo vetëm një sistem piramidal por duke e bërë atë riskun real të këtij sektori!
Sot i është zënë fryma gjithë Tiranës me ndërtesa cip më cip, të cilat përveçse nuk kanë as bukuri estetike po shkaktojnë një rritje fiktive te çmimeve dhe po bëhen pengesa kryesore pse shtresa e mesme nuk blen dot një shtëpi. Një çifti normal i duhen 99 vite për të blerë një apartament në Tiranë. Rritja e vit pas viti e çmimeve, rritja e stokut të banesave dhe ndërtimet pa fre nuk kanë asnje llogjike jo vetëm ekonomike po dhe as sociale e të planifikimit.
Nuk ka kumbull të kuqe që mund ti bëjë hije ndërtimeve në qendrën e Tiranës e për sa kohë askush nuk flet për rreziqet e kësaj që ndodh në Tiranë, lukunia e ndërtimeve do vazhdojë duke gllabëruar dhe ato pak hapësira e objekte identitare që kanë ngelur!
Ekonomia shqiptare nuk mund dhe nuk duhet të varet nga ndërtimet të cilët përveçse nuk janë model afatgjatë rritjeje, thjesht tregojnë dhe theksojmë pabarazinë që po ndodh në çdo sektor!