Jorida Tabaku në Shkup: Integrimi në BE prioritet, humbëm kohë me ”Open Balkan”

Kryetarja e Komisionit të Çështjeve Europiane, deputetja e PD-së Jorida Tabaku, ishte e pranishme së bashku me një grup deputetësh në Maqedoninë e Veriut ku ishte pjesë e panelit në konferencën me temë: “Avancimi i Procesit të Berlinit përmes diplomacisë parlamentare”. 

Tabaku argumentoi se procesi i integrimit është një proces me rëndësi për qytetarët më shumë se sa për qeveritë. Kjo do të thotë se qytetarët duhet t’i prekin benefitet e BE-së më shumë se sa kushdo tjetër dhe se këto përfitime nuk duhet të zhbëhen dhe as të eklipsohen nga vullneti politik apo burokracia. Sipas saj Parlamenti është i vetmi institucion që zgjidhet nga qytetarët dhe duhet të jetë pjesë në procesin e integrimit pikërisht për të siguruar përfitimet e qytetarëve.

Nën moton e të ndërtuarit të Europës në Shqipëri, deputetja demokrate Tabaku argumentoi se shqiptarët dhe jo vetëm ato por gjithë Ballkani Perëndimor duhet të kishin këmbëngulur për Procesin e Berlinit më herët. Ajo nënvizoi se humbja e kohës me procese paralele ka vonuar përfitimet ndaj qytetarëve ndërsa vuri në dukje që Tregu i Përbashkët Rajonal (TPR) është një risi e domosdoshme dhe me përfitime për të gjithë qytetarët e rajonit të Ballkanit Perëndimor.

SHKARKO APP