Ju vdes babai në Spitalin Infektiv, policia padit penalisht vajzat!
Policia e Shtetit ka nisur sot procedim penal për dy vajzat e Rifat Lalos, personi që humbi jetën në Spitalin Infektiv dy ditë më parë. Vajzat e të ndjerit deklaruan në media se i ati i tyre nuk kishte marrë trajtimin e duhur mjekësor dhe ndërrojë jetë në hyrje të spitalit. Policia thotë se dy vajzat kanë përhapur informacione të rreme.
“Specialistët e Komisariatit të Policisë Nr. 4 filluan procedimin penal ndaj shtetaseve E. L. dhe I. L., sepse nëpërmjet rrjeteve sociale dhe medias së shkruar, kanë përhapur informacione të rreme për shtetasen M. Q., me detyrë mjeke. Punohet për sqarimin e rrethanave të ngjarjes. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme”,- thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.
Vajzat e Rifat Lalos deklaruan se nga komunikimet më të atin, kur ishte në spital, ai u kishte thënë se nuk kishte marrë asnjë mjekim dhe as skaner.
Vajzat e Rifat Lalos deklaruan për mediat se të atit të tyre nuk i ishte ofruar trajtimi i duhur mjekësor: “Na thanë që vetëm këtu kishte oksigjen, na thanë që nuk kishte vende të lira në spitale, vendosëm që ta sillnim këtu. Babai na merrte çdo çerek ore dhe na thoshte se nuk i bënin asgjë, e kishin lënë afër derës dhe kishte ftohtë. Doktoresha Migena Qato nuk kishte një etikë mjekësore, ajo thoshte që po i bëjmë skaner, dhe babai thoshte nuk i bënin asgjë. Babai thoshte që të dilnin, ne komunikuam dhe me mjekë në Bruksel dhe thoshin që nuk është gjendja aq e rëndë sa e thonë ata aty. Ishim me mëdyshje nëse duhet ta nxirrnim apo jo nga spitali, kërkuam që ta çonim në një spital tjetër. Babai thoshte jepni pare dhe më nxirrni nga këtu. Nuk kam për t’ia falur kurrë vetes këtë, që e shtruam babanë këtu. Kurrë më asnjë të afërm në publik, e vërtetuam këtë mbrëmë, me ikjen e babait tonë. Na tha se e kishin lënë në një karrige, nuk e prekte njeri me dorë, babai ynë ishte intelektual. Kemi shumë pikëpyetje, babai ynë ka ikur me brengë në zemër, na iku tak fak”.
Ky denoncim publik ka shërbyer për padinë penale ndaj vajzave duke shënuar një rast të paprecedentë, ku veç humbjes së jetës së të afërmit, vajzat duhet të përballen dhe me hetimin e prokurorisë.
Rifat Lalo është vëllai i ish-deputetit të PD-së, Vili Minarolli. Dy ditë më parë, kryeministri Edi Rama edhe pse bëhej fjalë për një person që ka ndërruar jetë, tha se akuzat e familjarëve ishin politike. Një ditë më parë, për rastin e Rifat Lalos, Edi Rama tha se: “njerëzve iu dha informacion gjysmak si ato dy zonjat që qanë për humbjen e babait te spitali. QSUT e tha se çfarë kishte ndodhur se nuk kishte asnjë të vërtetë në atë deklaratë dhimbje dhe partie”.
Pas deklaratës së Edi Ramës që e cilësoi humbjen e jetës së një njeri si “dhimbje partie” duket se Policia e Shtetit ka marrë kurajën që të nis procedimin duke shënuar një rast të paprecedentë.