Ka ambicie për postin e kreut të PD-së? Këlliçi: Kampi i djathtë duhet të kalojë në një proces analize
Mbi 11 mijë vota mori kreu i Forumit Rinor të PD, Belind Këlliçi në zgjedhjet e 25 prillit, që fitoi edhe mandatin e deputetit në këto zgjedhje, mohon që të ketë ambicie të marrë drejtimin e Partisë Demokratike.
Në studion e “7 pa 5” në “Vizion Plus”, duke komentuar situatën në PD, Këlliçi vlerësoi se lëvizja kundër Lulzim Bashës është e nxituar. Sipas tij, kampi i djathtë duhet të kalojë në një proces analize dhe të priten zgjedhjet për kryetar, që do të mbahen në korrik.
“Veprime të nxituara, qoftë i Lisandrit, qoftë i të tjerëve. Ai është një djalë demokrat 24 karatsh. Ka disa persona që janë natyrë emocionale, disa të tjerë që janë më të tërhequr. Konflikti dhe sherri për momentin nuk i shërben PD. Do të duhet një analizë. Edhe ne kemi bërë gabime. Nuk mund të themi se ishim perfekt. Duke nisur nga unë, të bëhet një analizë çfarë objektivi kam patur, të shihet çfarë kam realizuar. Duhet një analizë kirurgjikale, piramidale, të shihet ku kemi gabuar. Do të ketë një proces elektoral edhe brenda PD, do të ketë zgjedhje në korrik. Nuk e kam ambicie për veten. Ende nuk kam futur këmbët në Kuvend, jo më për këto gjëra”,-tha Këlliçi.