Ka të dhënat e sistemit TIMS? Shefi i IT-së në Polici, Muça: Porositësve për endjen e rrjetave të shpifjeve…

Shefi i IT-së në Policinë e Shtetit, Ervin Muça i akuzuar nga opozita se ka ndërhyrë në serverin e sistemit TIMS, duke marrë të dhënat me një USB, thotë se është një gënjeshtër. Sipas Muçës, të dhënat e sistemit TIMS as janë transferuar, as janë tjetërsuar. Ai thotë se është i gatshëm të përballet për akuzat me këdo në organet e drejtësisë.

“Pikërisht për këtë, unë në vijimësi kam kërkuar informacion mbi mënyrën e kryerjes së proçedurës së back-up nga personat që e kishin detyrë funksionale. Vërejta se back-up, një proçedurë aq e domosdomoshme dhe e rëndësishme, nuk ishte kryer siç duhej. Kërkova të ribëhej. Si përgjigje kam marrë sabotimin. Sigurisht që jam aq i përgjegjshëm sa të mos i bëj publikë këtu në këtë reagim emrat sabotues që guxuan të cenojnë detyrën, betimin, integritetin dhe qëndrueshmërinë e sistemeve, por patjetër që po përgatis raportin tim, për eprorët dhe organe të tjera ligjzbatuese”,-thotë Muça.

Pak ditë më parë përfaqësues të ambasadës amerikane, në një takim me ministrin e Brendshëm Taulant Balla, i kërkuan këtij të fundit që të kryhen hetimi lidhur me ndërhyrjet e raportuara në sistemin TIMS në Policinë e Shtetit. Kryeministri Edi Rama thotë se nuk ka një vjedhje të të dhënave të sistemit TIMS, mirëpo në këtë ngjarje ai sheh të pavend reagimin e SHBA-së që kërkonin një hetim të shpejtë për rastin.

Reagimi i plotë nga Ervin Muça

Bari ka ngjyrë blu-, tha gomari. Ai që i thoshte: E ke gabim, është i gjelbër -, dënohej, ndërsa gomari vazhdonte të pëlliste i lumtur për “fitoren”.

Unë nuk kam dashur prej kaq javësh të hyj në debat me asnjë gomar gënjeshtar. Por detyrimi ndaj publikut, ndaj detyrës, respekti ndaj vetes, miqve, kolegëve, më shtyn të mbaj këtë qëndrim të hapur për të gjithë baltën, shpifjet, akuzat, ngritur si tym në sy, e shpërndarë andej-këtej, ku mund të gjendet ndonjë gremç për t’u kapur.

Akuzohem, unë drejtues i lartë i Policisë së Shtetit, se paskërkësha marrë të dhënat e sistemit TIMS në një USB!!! GËNJESHTËR! GËNJESHTËR! GËNJESHTËR! Të dhënat e sistemit TIMS, as janë transferuar, as janë tjetërsuar. Porositësve për endjen e rrjetave të shpifjeve, u them vetëm se magjitë vudu në teknologji, nuk funksionojnë dhe do u kthehen kundër.

Kur unë marr besimin për kryerjen e një detyre, nuk e nis punën duke menduar “si do përfitoj”, por se si do të shërbej. Është punë edukate, morali, ndershmërie dhe burrërrie. Nuk e di a i kanë këto karakteristika endësit e rrjetave të shpifjeve. Si drejtues i Lartë i Policisë, që në ditën e parë kam kërkuar informacion të detajuar për çdo hallkë, pjesëz dhe segment që ka lidhje me përgjegjësitë e mia. Kjo është mënyra për të dhënë më të mirën, për të mbajtur drejt peshën që të është ngarkuar, e për të siguruar të dhënat që përmbajnë sistemet. Një ndër procedurat kryesore me punën e përditshme të sistemeve është back-up. Jetike për qëndrueshmërinë e sistemeve dhe rikthimin në funksion, në rast sulmesh a fatkeqësish (kujtoj sulmin kibernetik iranian, ku sistemet tona u ringritën pas asistencës se pakushtëzuar nga DART i Microsoft dhe partnerët tanë strategjikë SHBA).

Pikërisht për këtë, unë në vijimësi kam kërkuar informacion mbi mënyrën e kryerjes së proçedurës së back-up nga personat që e kishin detyrë funksionale. Vërejta se back-up, një proçedurë aq e domosdomoshme dhe e rëndësishme, nuk ishte kryer siç duhej. Kërkova të ribëhej. Si përgjigje kam marrë sabotimin. Sigurisht që jam aq i përgjegjshëm sa të mos i bëj publikë këtu në këtë reagim emrat sabotues që guxuan të cenojnë detyrën, betimin, integritetin dhe qëndrueshmërinë e sistemeve, por patjetër që po përgatis raportin tim, për eprorët dhe organe të tjera ligjzbatuese.

Unë, sot, tani, me këdo përballë, specialist i mirëfilltë, apo edhe autodidakt mediatik, jam gati të shkoj në institucionet tona hetuese, dhe sigurisht që një ditë do të shkojmë, për të provuar katërcipërisht se puna ime, nuk ka kaluar kurrë asnjë milimetër përtej përgjegjësive që më ngarkon detyra, e jo më të bëhem aktor filmash 007 me “vjedhje” materialesh mijëra TB në USB xhepi. Duhet të jesh shumë injorant ta shkruash këtë, dhe kush e di sa injorant të ndërtosh skenarë të tillë.

Në fakt, nuk është vetëm njollosja e emrit tim ajo që më shqetëson. Është mbi të gjitha, mundësia se endësit e këtyre rrjetëzave të shpifjeve, mund t’ia hedhin pa lagur, duke fshehur të vërtetën dhe qëllimet e tyre të vërteta. Por për dijeni, po u kujtoj të gjithëve një fjalë të Budës: Ka dy gabime për rrugën e të vërtetës; të mos i shkosh deri në fund dhe të mos nisesh. Unë tashmë jam nisur. Deri sot gjithçkaje i kam shkuar deri në fund.

SHKARKO APP