Kalohet provimi zgjedhjor, asnjë incident i rëndë apo kallëzim për dhunë

Zgjedhjet e 21 qershorit mund të konsiderohen si më të mirat të organizuara ndonjëherë në Shqipëri. Tashmë mund të thuhet pa frikë, se Shqipëria më në fund e kaloi provimin e zgjedhjeve. Ditën e zgjedhjeve, me disa incidente sporadike, nuk është shënuar asnjë incident i rëndë, që mund të ndikonte zgjedhjet. Këtë e provokon edhe fakti që policia nuk ka ndërhyrë në asnjë rast, në gjithë vendin, për ndonjë rast të rëndë. Kjo është hera e parë, kur në zgjedhjet në Shqipëri, nuk ka asnjë kallëzim në polici për dhunë në zgjedhje.

Kjo konfirmohet edhe nga ana e policisë “Nga KQV-­të gjatë kësaj periudhe është kërkuar ndërhyrja e policisë me vendim sipas përcaktimeve të bëra në aktet normative vetëm në 1 rast, ku policia ka ndërhyrë sipas vendimit të Komisionit të Qendrës së Votimit dhe ka kryer detyrën për rivendosjen e gjendjes. Konkretisht: Në KZAZ Nr. 6, Qendra e Votimit Nr. 142, në orën 10:30, në Shkollën 9-vjeçare Koman, me Vendimin 7, datë 21. 06. 2015, Komisioni i QV, ka vendosur të kërkojë ndihmën e policisë për ndërhyrje në QV, pasi ka pasur një fluks shumë të madh të qytetarëve për të votuar. Punonjësit e policisë kanë ndërhyrë për rivendosjen e rregullit dhe pas normalizimit të situatës janë larguar me vendim të Komisionit të Qendrës së Votimit. Gjatë procesit zgjedhor strukturat e Policisë së Shtetit kanë ndërhyrë dhe për disa incidente të vogla për të cilat Policia është thërritur nga Komisionet përkatëse të qendrave të votimit por që kanë gjetur zgjidhje pa ndërhyrjen e forcave të policisë dhe nuk është kërkuar më me vendim nga komisionet ndërhyrja e policisë”, thuhet në një deklaratë të policisë.

Kalimi me sukses i këtyre zgjedhjeve, është një hap i rëndësishëm për hapjen e negociatave me Bashkimin Europian për Shqipërinë. Për këtë arsye, edhe qeveria ka qenë e angazhuar maksimalisht për të plotësuar standartet. Në përfundim të zgjedhjeve, si rrallë ndonjëherë, partia në pushtet, PS, nuk ka dalë të flasë për fitore, por ka kërkuar nga komisionerët që të respektojnë ligjin dhe të mos prekin votën. Edhe kjo është një risi, ndërkohë që PD iu përmbajt traditës së vjetër, kur sapo përfunduar zgjedhjet, doli dhe shpalli fitoren. Associated Press: Zgjedhjet janë çelësi për hapjen e negociatave Shqiptarët kanë nisur të votojnë për zgjedhjet vendore, një hap i rëndësishëm në përpjekjet e tyre për të nisur negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Europian. Vitin e shkuar Shqipërisë iu dha statusi i kandidatit të BE dhe tani Tirana pret të marrë miratimin për nisjen e negociatave të anëtarësimit të plotë. Përveç rezultateve të prekshme në shtetin e të drejtës, sistemin e drejtësisë dhe luftën kundër krimit dhe korrupsionit, Brukseli pret gjithashtu zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipërinë post­komuniste, ku ato gjithmonë kanë pasur probleme me dhunën, manipulimin apo grindjet politike.

“Testi i zgjedhjeve të qershorit, thuajse një vit pas marrjes së statusit të vendit kandidat, duhet të shërbejë si investimi ynë më i madh në nisjen e negociatave me Bashkimin Europian,” tha presidenti Bujar Nishani të premten, duke bërë thirrje për pjesëmarrje. Këto janë zgjedhjet e shtata lokale dhe 3.4 milionë persona kanë të drejtë të votojnë për të zgjedhur 61 kryebashkiakë dhe 1.595 këshilltarë bashkiakë. Rreth 600 oficerë policie janë dërguar në 5300 qendra votimi dhe qindra trupa speciale të ushtrisë janë duke ruajtur ndërtesat qeveritare dhe ambasadat. Fokusi do jetë Bashkia e Tiranës, ku një koalicion me 37 parti, i udhëhequr nga kryeministri Edi Rama, ka kandiduar ish­ ministrin e Çështjeve Sociale, Erion Veliaj, ndërsa koalicioni opozitar me 15 parti garon me Halim Kosovën.

SHKARKO APP