Kalon për gjykim dosja e ish-prokurorit Kledian Llaho
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur këtë të enjte kalimin për gjykim të dosjes penale në ngarkim të ish-drejtuesit të Prokurorisë së Sarandës, Kledian Llaho. Llaho akuzohet për veprat penale “korrupsioni pasiv i gjyqtarit, prokurorit apo funksionarëve të tjerë të sistemit të drejtësisë”, në bashkëpunim, si edhe “ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj funksionarëve publikë”.
Sipas hetimeve të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), ish-prokurorët dyshohen se janë përfshirë në një rast korrupsioni që lidhet me zbutjen e masës së sigurisë ndaj shtetasit Pando Papuçi, i shpallur më herët në kërkim për ndërtim pa leje. Ky i fundit, pasi iu shmang drejtësisë për rreth dy vite, u arrestua dhe më pas doli para gjykatës për rivlerësimin e masës së sigurisë.
SPAK dyshon se zyrtarë të përfshirë në çështje i kanë kërkuar para Papuçit në këmbim të ndërhyrjeve në procedurat gjyqësore me qëllim lehtësimin e masës së sigurimit. Gjykata e Posaçme, pas shqyrtimit të pretendimeve në seancën paraprake, vendosi pranimin e kërkesës së SPAK dhe dërgimin e çështjes për gjykim për të pandehurit Kledian Llaho, Vasil Bakalli, Pando Papuçi dhe Çlirim Shahini.
KOHA JONË SONDAZH

