Kanabis dhe municione. 4 persona në pranga, mes tyre edhe kryeplaku i fshatit në Korçë
Katër persona kanë rënë në pranga dhe një tjetër është shpallur në kërkim në Korçë, për kultivim të bimëve narkotike.
Bëhet fjalë për M. Sh., 22 vjeç; E. Sh., 20 vjeç; I. Z., 20 vjeç, si edhe u shpall në kërkim shtetasi D. Z., 18 vjeç, banues në Voskop.
Nga tërësia e hetimeve të kryera, si edhe gjatë kontrollit që shërbimet e policisë ushtruan në vendin e quajtur “Lumi i Mullirit” mbi fshatin Polenë e Vjetër, u gjetën të kultivuara fidanë kanabis, si dhe 65 copë fishekë luftarakë, të cilët dyshohet se i kanë kultivuar dhe i posedonin pa leje shtetasit e lartpërmendur në bashkëpunim mes tyre.
Nga kontrollet e mëtejshme konkretisht në banesën e shtetasit I. Z., u gjetën e sekeustruan disa bimë të tjera të dyshuara kanabis të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Gjatë operacionit u vu në pranga dhe shtetasi O. Sh., 47 vjeç, banues në fshatin Voskop, me detyrë kryeplak i fshatit Voskop, i cili dyshohet se ka shpërdoruar detyrën, pasi ky shtetas kishte detyrim që të ushtronte kontrolle territor dhe të njoftonte organet e policisë, në rast se do të konstatonte ushtrimin e kësaj veprimtarie kriminale.
Materialet i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë për hetime të mëtejshme.