Kanabis në Kukës, procedohet 70-vjeçari dhe djali i tij për kultivim të paligjshëm
Një 70-vjeçar është arrestuar në Has, pas një operacioni të zhvilluar nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Kukës, në bashkëpunim me strukturat e policisë. Ai dyshohet për përfshirje në kultivimin e bimëve narkotike, si dhe për mbajtje pa leje të armëve dhe municionit luftarak.
Sipas njoftimit zyrtar, në pranga ka rënë shtetasi me inicialet Rr. U., 70 vjeç, ndaj të cilit rëndojnë akuzat për “Kultivim të bimëve narkotike” dhe “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe municionit”, vepra këto të parashikuara nga legjislacioni penal në fuqi.
Arrestimi i tij u bë pas kontrolleve të ushtruara në fshatin Vlahen, në territorin e Bashkisë Has. Gjatë këtyre kontrolleve, autoritetet zbuluan tre parcela të mbjella me bimë të dyshuara si cannabis sativa. Sipas të dhënave paraprake, në total janë konstatuar dhe sekuestruar 1,874 bimë narkotike, të shpërndara në disa sipërfaqe toke në zonë.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e të dyshuarit, policia ka gjetur gjithashtu një sasi municioni luftarak, konkretisht 73 fishekë të modelit 56, kalibër 7.62 mm, tre krehëra automatiku të zbrazët dhe dy fitila zjarrpërcjellës. Këto prova materiale janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale dhe do t’i nënshtrohen ekspertimit përkatës.
Autoritetet e prokurorisë dhe policisë bëjnë me dije se hetimet vijojnë me qëllim identifikimin e personave të tjerë të mundshëm të përfshirë në këtë veprimtari të dyshuar kriminale, si dhe për zbardhjen e plotë të rrjetit të kultivimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike në zonë.
KOHA JONË SONDAZH

