Kanali rrezikon t’i përmbytë, banorët e ish-kënetës: Tmerrohemi kur bie shi

Banorët e ish-kënetës në Durrës thonë se sa herë bie shi, ata qëndrojnë në ankth për shkak se kanali që gjendet para shtëpive të tyre rrezikon të dalë nga shtrati dhe ata të përmbyten. Banorët shprehen të shqetësuar edhe me mungesën e investimeve në rrugë e pastrimin e mbeturinave nga Bashkia e Durrësit.

Sa herë që bie shi, banorët e ish-kënetës në Durrës kalojnë natën në ankth, për shkak se kanali që gjendet para shtëpive të tyre rrezikon të dalë nga shtrati nga moment në moment dhe uji të hyjë në banesat e tyre.

Mungesa e pastrimit të kanalit, bën që ai të jetë kërcënim real për banorët.

“Rrimë me frikë gjithë natës se po fryhet kanali, bllokohet poshtë dhe del uji në oborre. Rrezikojmë të mbytemi, se këtu nuk kalohet, sidomos në dimër që i vjen era 100 metra larg.”

Lagjja e këtyre banorëve, vuan edhe nga probleme të tjera, siç janë mbeturinat, pasi ato mund të gjenden në çdo cep rruge, dhe Bashkia e Durrës, me kryetare Emirjana Sakon nuk ka marrë ende asnjë masë.

“Shif e shkruaj si ndodhet kanali, me ujëra të zeza, mbeturina. Duhet të pastrohet dhe të merret në dorë kjo punë. Kemi kërkuar dhe është e ditur që këtu është i njëjti problem.”

Rruga e pashtruar, që në sezonin e reshjeve bëhet pothuajse e pakalueshme, është një tjetër shqetësim për banorët e ish-kënetës.

“Prit sot dhe prit nesër që të vërë dorë shteti, të vërë dorë dikush. Është e vështirë. Rrugët e pashtruara, kanali siç e shikon, aroma shumë e keqe,në këto kushte po jetojmë.”

Zona e ish-kënetës në Durrës, është një ndër zonat më problematike dhe banorët thonë se lagjja ka nevojë për një rehabiliim të plotë.

Ora News - Kanali rrezikon t’i përmbytë, banorët e ish-kënetës: Tmerrohemi kur bie shi

SHKARKO APP