Kandidati i LSI në komunën Portëz, Kryemadhi: Nga një gjimnazist që ishte në Fier, tani e duam deputet
Këtë të diel kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka prezantuar kandidatin për deputet në komunën Portëz si pjesë e listës së qarkut Fier. Në prezantimin e Klajdi Bogdanajt, kryetarja e LSI-së tha se ai është pjesë e partisë që kur ka qenë gjimnazist në Fier, e sot pas studimeve për Juridik, ”e duam deputet”, tha Kryemadhi. Klajdi Bogdanaj renditet i treti i listës dhe sipas Kryemadhit, kjo tregon që LSI-ja i vlerëson dhe i rrit njerëzit e saj. ”Ne duam që të kthejmë çdo gjë në dorë të të rinjve dhe të rejave. Jo në dorë thjesht për të pasur një të ri, një 18 apo 20 vjeçar, por për t’iu dhënë shanset dhe mundësitë brezit të Klajdit, të Kejdit, të shumë të rinjve dhe të rejave të tjerë, që nuk janë thjesht të rinj, por janë njerëz me përgjegjësi, që kanë përgjegjësi politike, kanë angazhim politik, kanë dëshirë të jetojnë në Shqipëri”,-tha Kryemadhi.
Fjala e plotë e Kryemadhit
Unë dua të falenderoj Klajdin, por nëpërmjet tij dua t’iu falenderoj edhe të gjithë juve. Ne me Klajdin njihemi që në themelimin e LSI-së. Kur është themeluar LSI-ja Klajdi ka qenë fëmijë dhe sot është baba. Kjo është LSI-ja, rritet me njerëzit, rritet me njerëzit e saj, rritet në vota. Por duhet të rritet edhe në profesionistë. Pra ne e duam sot Klajdin nga një gjimnazist që ishte në Fier, pastaj student i juridikut, tani e duam deputet. Por që të jesh deputet duhet edhe një përgjegjësi.
E tha pak më përpara dhe zotëria, përgjegjësi dhe angazhim i yni, sepse në fund të fundit politika çfarë është? Është një instrument që ua bën njerëzve jetën ose më të vështirë ose më të lehtë. Dhe Klajdi e ka për detyrë që ta bëjë jetën më të lehtë, jo për ju që jeni këtu, por për brezin, për shokët, për të rinjtë, për të rejat jo vetëm të Portëzës, Roskovecit, Patosit, Cakranit e të Mallakastrës e Fierit, por për të gjithë Shqipërinë.
Në fakt jo pa qëllim Klajdi është i treti i listës. Është i treti i listës sepse kërkon angazhim e para, e dyta tregon që LSI-ja i vlerëson dhe i rrit njerëzit e saj, sepse Klajdi është fëmijë i LSI-së dhe sot është burrë në LSI. Dhe nëse ne nuk do të mendojmë për vendin tonë, për të gjithë njerëzit me të cilët kemi ardhur deri këtu si një familje, normal që do të ndodhë ajo që ka ndodhur, ku taksat rriten, ku vendet e punës mbyllen, ku bizneset falimentojnë e çdo gjë tjetër. Vetëm hasmi e shkatërron shtëpinë. Vetë një njeri që urren çdo gjë e shkatërron shtëpinë. Dhe këtë ka bërë Edi Rama me Rilindjen.
Prandaj dhe ne duam që të kthejmë çdo gjë në dorë të të rinjve dhe të rejave. Jo në dorë thjesht për të pasur një të ri, një 18 apo 20 vjeçar, por për t’iu dhënë shanset dhe mundësitë brezit të Klajdit, të Kejdit, të shumë të rinjve dhe të rejave të tjerë, që nuk janë thjesht të rinj, por janë njerëz me përgjegjësi, që kanë përgjegjësi politike, kanë angazhim politik, kanë dëshirë të jetojnë në Shqipëri. Dhe nëse ne nuk do të kemi një klasë politike që kërkon të jetojë dhe investojë në Shqipëri, që kërkon të rritet në Shqipëri, normal që ne do të kemi këtë shpopullim me këto ritme kaq të shpejta.
Në fakt unë u jam shumë mirënjohëse sepse komuna e Portëzës, është ajo që tha pak më përpara edhe Baçi, e ka votuar LSI-në. E ka votuar LSI-në për shkak të Klajdit, të Baçit apo të të gjithë juve që jeni sot këtu. Sepse ndoshta edhe një marrëdhënie njerëzore që kemi pasur me njëri tjetrin ka bërë që të kemi një rezultat. Por sot përgjegjësia jonë nuk është më thjesht tek rezultati apo flamuri politik që mbajmë. Sot përgjegjësia jonë është tek angazhimet që duhet t’u japim të gjithë këtyre djemve që janë këtu, të cilët shikojnë si të vetmen mënyrë për të jetuar emigrimin.
Kur në fakt e dimë shumë mirë, ne kemi qenë tek serat e Tomit, të cilat kanë qenë farmaci dhe jam habitur, pasi Tomi asnjëherë nuk e ka pasur ndihmën e shtetit, edhe kur kemi qenë ne në pushtet, gjithmonë ka punuar me djersën e ballit të vet. Dhe kur s’kemi qenë ne në pushtet, Tomin e kanë sulmuar pse ishte i lirë për të shprehur mendimin e tij. Këtu e gjithë komuna e Portëzës jeton me bujqësi, jeton me sera dhe ndihmesa në këtë drejtim, nuk ka qenë ajo që ne pretendojmë.
Ne kemi disa pika në programin tonë, për të cilat secili nga ne merr përsipër angazhimet e veta. Por angazhimin kryesor jo vetëm për ju, por për shumë të rinj që përfaqëson Klajdi në listën e Fierit, janë jo vetëm në programin e LSI-së, por janë edhe detyrim i Klajdit. Klajdi nuk flet shumë, është i heshtur, por jam e bindur që Klajdi e bën punën shumë të mirë për të ndihmuar, për t’iu dhënë dorën njerëzve, shokëve, miqve, qytetarëve, që të kalojmë çdo vështirësi. Kështu që e rëndësishme Klajdi është që ti angazhimin tënd nuk do e marrësh vetëm politik, por do ta marrësh edhe si një djalë i kësaj zone.
Nuk luftojmë kundër atyre, të luftojmë për çunat, gocat, fëmijët tanë që të jetojnë në Shqipëri. Nuk është beteja jonë me emra, por me fenomenet, varfërinë. Unë jam e bindur që Portëza do të votojë ty, se kanë besim dhe shpresë te ti. Mos e humb shpresën se të përkrah i gjithë ky popull. Unë jam e bindur që një nga gjërat më kryesore Klajdi është se njerëzit do të të përkrahin sepse njerëzit shikojnë veten e tyre, fëmijët e tyre, te ti, Kejdi, Renato, etj. Kjo është fitorja më e madhe e LSI, nuk është thjeshtë vota në kutinë e votimit, por për mua fitorja më e madhe është emocionale, shpirtërore.
Kur një parti politike arrin që nëpërmjet figurave të saj të reja, që nga fëmijë janë bërë politikanë, ku njerëzit shohin shpresën tek ata, kjo është fitorja politike. Për mua rezultati i 25 prillit do të ketë vlerë nëse parlamenti do të jesh ti, Kejdi. Nuk do të jeni veç kukulla politike, por vendimmarrës, ku do të merrni vendime të rëndësishme që kanë të bëjnë me të ardhmen e të rinjve, të vajzave, djemve dhe familjareve të Fierit. Duam ta bëjmë Shqipërinë, shtëpinë tonë. Suksese dhe të uroj sinqerisht mbarësi. As nuk e diskutoj që do të jesh në parlament, por për përgjegjësitë që ti do marrësh për të realizuar angazhimet dhe programin tonë.