Kandidati për deputet në Fier, Nustret Avdullai: Po tjetërsohen votat, do verifikojmë pamjet filmike
Nustret Avdullai, kandidati për deputet, i pesti në Qarkun e Fierit, i koalicionit PD-Aleanca për Ndryshim, ngre shqetësimin në lidhje me procesin e numërimit të votave të kandidatëve për deputet.
Avdullai thekson se votat po tjetërsohen te KZAZ 57, ndërsa i bëri apel numëruesve që të tregohen korrekt deri në fund, ndërsa iu kujtoi atyre se do të ndiqen penalisht për çdo shkelje.
Më tej, ai tha se disponon materiale filmike që do t’i vendosë në dispozicion për të verifikuar çdo votë. Avdullai deklaroi se nuk e ngre si shqetësim vetëm për veten e tij, por për të gjithë te tjerët.
“Doja të shprehja një shqetësim në lidhje me procesin që vazhdon. Shqetësimi im është për tjetërsimin e votës. I bëj apel numëruesve që do të ndiqen penalisht për çdo veprim abuziv që do bëjnë në tjetërsimin e votës.
Unë si përfaqësues i PDIU disponoj të gjithë materialet filmike dhe do t’i vëmë në dispozicion për të verifikuar çdo votë. Ju bëj dhe njëherë apel të jenë korrekt me ligjin. Besoj e kanë të qartë ligjin se çfarë parashikon tjetërsimi i votës.
Shqetësimi konkretisht është për parregullsitë që kemi hasur tek KZAZ 57 dhe mora shkas nga ky shqetësim për t’i paralajmëruar që të jenë të kujdesshëm me ligjin dhe të jene korrekt. Të jenë korrekt deri në fund. Do shikojmë procesverbalin dhe do merremi konkretisht me problemet që kemi hasur aty në një moment të dytë mund t’ju sqaroj për më tepër.
Po e ngre si shqetësim jo vetëm për veten por për të gjithë nuëmruesit, për të gjithë procesin. Numërimi i votave për secilin kandidat duhet të jetë po aq i kudjesshëm siç ishte për të gjitha subjektet.
Votat e pavlefshme janë hall më vete. Me gjithë problemet që ka si proces, besoj e keni vënë re të gjithë me gabimet që kanë bërë me votat e pavlefshme që janë shumë. Megjithatë është një gje tjetër që i përket instancave të tjera.
Ky problem është vënë re në përgjithësi. Ky fenomen ka filluar të bëhet shqetësues. Prandaj jam para jush për të ngritur këtë shqetësim”, tha Avdullai.
https://streamable.com/h9svq0
Pas denoncimit, këta janë dy procesverbalet që provojnë tjetërsimin e votës në favor të kandidatit Agron Kapllanaj, të cilit i ishin shtuar 15 vota.