Kandidati për kreun e SPAK, Altin Dumani: Të gjithë do ndëshkohen pavarësisht postit që kanë

Ka nisur mbledhja për përzgjedhjen e kreut të SPAK, ku po zhvillohet intervista e parë në KLP.

“Jemi në fazën finale të një procesi të gjatë. Do të përzgjedhim drejtuesin e SPAK mes tre kandidaturave”, tha Gent Ibrahimi, kreu i KLp në fillim të mbledhjes.

Altin Dumani i cili është i pari që po intervistohet ka shpalosur vizionin e tij.

“Promovimi i punës në grup, integriteti në punë, ruajtja e pavarësisë së prokurorëve, por duke e balancuar më pergjegjshmërinë, përgjegjshmëri për hetimin e çështjeve. SPAK do të jetë një strukturë e aftë, e besueshme nga shqiptarët. Përgjegjshmëria në trajtimin e çështjeve është thelbësore për SPAK. SPAK do të bëjë të mundur që çdokush që ka shkelur ligjin,kushdo qoftë ai do ndëshkohet. SPAK do të godasë krimin e organizuar dhe korrupsionin. Në mbështetje të vizionit tim kam paraqitur një plan të detajuar funksional për funksionimin e këtij institucioni. Kjo prokurori do godas paligjshmërinë. Do bëjë të mundur një Shqipëri që kush shkel ligjin do të dënohet. Fokus i veçantë do jetë bashkëpunimi me qytetarët. Dështimi i Prokurorisë së Posaçme nuk do të jetë asnjëherë një vizion”, tha ai.

Dumani tha më tej se: “Duket organizuar puna sipas specializimeve që kanë prokurorët dhe duhet emëruar drejtuesi e BKH sa më parë. SPAK do të synojë të ketë në administratën e saj njerëz profesionist, me integritet të lartë. Do të jem shumë kërkues ndaj kritereve për përzgjedhjen e administratës. BKH duhet të ketë njerëz me integritet të mirë moral. Për këtë duhet joshje, dhe është pikërisht paga për të thithur në P. Posaçme, ekspertët më të mirë. Na është premtuar se kategoria e pagave do jetë në nivel të kënaqshëm. Unë do mëshoj shumë për të gjetur ekspertë të motivuar, që duan të punojnë e nuk kanë parësore anën financiare. Ta shohin këtë institucion si parësor. Ky vend ka njerëz të tillë, shpresojmë të thithim këtë kategori. Pas zgjedhjes së kreut të BKH, fokusi do të kaloj te zgjedhja e pjesëtarëve të BKH”.

SHKARKO APP