Kanosën babë e bir me qëllim përfitimi pasurie, arrestohen tre persona në Shkodër
Policia në Shkodër ka finalizuar operacionin e koduar “Produkti”, duke vënë në pranga tre shtetas të dyshuar për kanosje dhe ushtrim të aktivitetit të paligjshëm në fushën ushqimore.
Sipas njoftimit të Policia e Shtetit, në kuadër të operacionit të zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Krimeve të Rënda dhe ai Ekonomiko-Financiar, në bashkëpunim me Prokurorinë, janë arrestuar shtetasit G. B., 67 vjeç, E. B., 33 vjeç (babë e bir), si dhe A. B., 61 vjeç, të gjithë banues në Shkodër.
Nga hetimet paraprake rezulton se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kanosur dy shtetas (babë e bir), për motive të dobëta, me qëllim përfitimin e pasurisë.
Gjatë kontrolleve të ushtruara në aktivitetin tregtar të dy prej të arrestuarve, autoritetet konstatuan se prodhoheshin produkte ushqimore të pamiratuara nga institucionet përkatëse dhe në kushte jashtë standardeve higjeno-sanitare.
Në vijim të veprimeve procedurale, u bë bllokimi i aktivitetit të kundërligjshëm, ndërsa në cilësinë e provës materiale u sekuestruan etiketa dhe stampa për tetë produkte ushqimore, si dhe tre aparate celularë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Shkodër, për disa vepra penale, mes të cilave “shtrëngimi me anë të kanosjes për dhënien e pasurisë”, “fshehja e të ardhurave”, “pastrimi i produkteve të veprës penale”, “mashtrimi me produktet ushqimore” dhe “prodhimi i kundërligjshëm i mallrave”.
KOHA JONË SONDAZH

