Kapet me 14 kg kanabis në afërsi të stanit, arrestohet 21-vjeçari
Goditet një tjetër rast i veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve. Policia e Gjirokastrës ka sekuestruar rreth 14 kg lëndë narkotike kanabis, ndërsa në pranga ka rënë poseduesi i saj.
“Nga specialistët e seksionit të Hetimit të Narkotikëve u bë ndalimi i shtetasit: A.G., 21 vjeç, banues në fshatin Picar, Gjirokastër, pasi nga kontrolli i ushtruar nga shërbimet e policisë, në afërsi të stanit të tij, u gjet një sasi rreth 14 kg lëndë narkotike e dyshuar Cannabis Sativa, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale” njofton policia.
Materialet për shtetasin e mësipërm i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”.