Kapet në Londër i kërkuari nga SPAK-u për rrëmbimin e Jan Prengës
Një tjetër person i dyshuar për përfshirje në rrëmbimin dhe zhdukjen e Jan Prengës është lokalizuar dhe arrestuar në Britaninë e Madhe. Korado Gështënja, 35 vjeç, është arrestuar në Londër me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë, pas një operacioni ku kanë bashkëpunuar Interpol Tirana, BKH dhe skuadra kombëtare britanike e ekstradimeve pranë NCA-së.
Autoritetet shqiptare e kërkojnë mbi bazën e një urdhër-arresti të lëshuar nga SPAK dhe të miratuar nga GJKKO. Ai dyshohet për veprat penale të rrëmbimit dhe komplotit për importimin e lëndëve narkotike të kategorisë A, konkretisht kokainës nga Ekuadori. Sipas akuzës së paraqitur në procesin e ekstradimit, më 17 janar 2020 ose rreth kësaj date, Gështënja dyshohet se ka bashkëpunuar me persona të tjerë për t’i hequr në mënyrë të paligjshme lirinë Jan Prengës.
Hetimet e SPAK-ut e vendosin Gështënjën fillimisht në rolin e një personi që dyshohet se ka monitoruar lëvizjet e Prengës dhe më pas ka marrë pjesë në rrëmbimin e tij. Jan Prenga u rrëmbye në zonën e Kamzës dhe më pas u dërgua në një resort në Shijak, ku u pa për herë të fundit. Sipas hetimeve, ai u mbajt peng dhe u torturua, ndërsa trupi i tij nuk është gjetur ende. Prokuroria shqiptare ka ngritur dyshimin se rrëmbimi ishte organizuar si hakmarrje për një sasi droge të humbur në Angli, çështje në të cilën dyshohet se ishte i përfshirë vëllai i viktimës, Ndrek Prenga.
Në dosjen hetimore është përmendur gjithashtu edhe emri i Dritan Rexhepit, i dyshuar për përfshirje në këtë ngjarje. Seanca për ekstradimin e Korado Gështënjës është caktuar më 2 shtator 2026, në orën 10:00. Deri atëherë, 35-vjeçari shqiptar mbahet në paraburgim në Londër. Mbetet ende e paqartë mënyra se si Gështënja ka hyrë dhe është vendosur në Britaninë e Madhe, ku rezulton se banonte në St Leonards-on-Sea. /TCH/
KOHA JONË SONDAZH

