Kapri: Rama i frikësuar nga drejtësia, Shqipëria nuk është në shitje

Deputeti i Partisë ”Mundësia”, Erald Kapri ka reaguar ashpër ndaj një deklarate të kryeministrit Edi Rama, të bërë në prani të përfaqësueses më të lartë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë, duke e cilësuar atë si një sinjal të rrezikshëm për orientimin strategjik të vendit. Për të Rama është kaq i trembur nga drejtësia, sa ka shkuar deri në kërcënimin e Perëndimit, duke lënë të kuptohet se nëse drejtësia prek pushtetin e tij, ai është i gatshëm të shohë nga Kina.

“Ky është një shembull tipik i liderëve të korruptuar, të cilët sa herë ndjejnë rrezik për pushtetin e tyre, janë të gatshëm të shesin interesat e vendit vetëm për të shpëtuar veten,” u shpreh Kapri. Reagimi i tij vjen pas deklaratës së Ramës, i cili tha se “po të mos ishte Shqipëria kaq e rëndësishme potencialisht, kinezët, që janë civilizimi më i vjetër dhe tregtarët më të padiskutueshëm, nuk do i kishin vënë syrin dhe nuk do e konsideronin Shqipërinë si ‘pikën e mjaltit në gjithë Europën’”.

Kapri theksoi se kjo qasje është e papranueshme dhe përbën rrezik për interesat kombëtare. “Ne nuk mund ta lejojmë këtë gjë. Shqipëria nuk është në shitje dhe nuk është pronë e Edi Ramës. Shqipëria duhet të mbështesë drejtësinë dhe të vazhdojë aleancën e saj të palëkundur me Perëndimin”,-deklaroi ai. Në fund, Kapri kërkoi që kryeministri të japë llogari për korrupsionin gjatë 12 viteve në pushtet, duke theksuar se drejtësia nuk duhet të ketë kompromis dhe se vendi e ka të ardhmen e tij të lidhur ngushtë me SHBA-në dhe Bashkimin Europian.

Swiss Digital Desktop Reklama

Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Si ishte viti 2025 për ju?