Karantina frenon përgjakjen e rrugëve në Shqipëri

Karantina dhe masat kufizuese të qeverisë shqiptare që u aplikuan për shkak të Covid-19 kanë dhënë impakt pozitiv, të paktën në uljen e aksidenteve rrugore në Shqipëri. Në muajin maj 2020 janë shënuar 40 aksidente më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Instituti i Statistikave (INSTAT), tregon se janë shënuar 75 aksidente në 2020, ndërsa një vit më parë në muajin maj ka pasur 115 të tillë. Sipas evidencave të INSTAT thuhet se në pesëmujorin e parë të 2020, numërohen 390 aksidente rrugore nga 583 që janë shënuar në të njëjtën periudhë në vitin 2019.

Po gjatë muajit maj të këtij viti, numri i të aksidentuarve (të vrarë dhe të plagosur) ka shkuar në 86, ndërsa një vit më parë kjo shifër ka qenë 143. Ndërkohë, bazuar në përllogaritjet e kryera nga INSTAT, thuhet se numri i të aksidentuarve në pesëmujorin e parë të vitit 2020, është 513 persona nga 773 që ishin vitin e shkuar.

Gjithashtu edhe numri i viktimave ka qenë më i vogël në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Sipas të dhënave, gjatë muajit maj ka pasur 4 vdekje më pak së në 2019, kurse sa i përket pesëmujorit të parë të 2020 ka pasur 17 vdekje më pak. “Në muajin Maj 2020, numri i të vdekurve nga aksidentet rrugore është 10 persona nga 14 persona të vdekur në Maj 2019. Në pesëmujorin e parë të 2020, numri i të vdekurve nga aksidentet rrugore është 59 persona nga 76 persona në të njëjtën periudhë të një viti më parë”, thuhet në përllogaritjet e INSTAT.

Por, cilët janë përgjegjësit apo shakatarët kryesorë të aksidenteve rrugore? Për këtë, INSTAT thotë se përgjegjësitë janë të dyja palët, si këmbësorët ashtu edhe drejtuesit e mjeteve. “Në muajin Maj 2020, aksidentet rrugore, në 92,0 % të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit. Numri më i lartë i aksidenteve në këtë periudhë është kryer nga grup-mosha 25–34 vjeç, duke zënë 32,0 % të numrit të aksidenteve gjithsej. Aksidentet në këtë grup-moshë janë ulur me 22,6 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

SHKARKO APP