Kardiokirurgjia, dhurohen pajisje teknologjike për ndërhyrjet në zemër

Me mbërritjen e pajisjeve më të fundit të teknologjisë  ditën e sotme në qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”,  tanimë do të mund të përmirësohen  ndërhyrjet kirurgjikale në zemër. Në prani të Drejtoreshës së QSUT-së, Ogerta Manastirliu, u janë dorëzuar mjekëve Arben Baboçi dhe Altin Veshti, sasia e instrumenteve për ndërhyrjet kirurgjikale, dhuratë nga shoqata “Një botë për një zemër”. Financimi ishte bërë i mundur nga kontributi i xhamive të kryeqytetit që iu përgjigjën thirrjes së bërë në media nga Presidenti i Shoqatës “Një botë për një zemër”, Agim Baçi dhe dy mjekëve kardiokirurgë, Arben Baboçi dhe Altin Veshti. “Këto pajisje përmirësojnë gjithë punën tonë në ndërhyrjet në zemër, sidomos për të sapolindurit”, tha mjeku Baboçi, duke falenderuar kontribuesit për këtë ndihmë në drejtim të Kardiokurirugjisë Pediatrike në QSUT.

Dhurimi i instrumenteve operatore u bë i mundur edhe nga mbështetja e kardiokirurgut italian, dr. Vitorio Vanini, i cili bëri të mundur që setet operatore që kushtonin mbi 70 mijë euro në treg të bliheshin nga prodhuesi për një shifër 16 mijë euro.

“Dëshiroj të falenderoj të gjithë kontribuesit e xhamive në Tiranë dhe Komunitetin e Myslimanëve që u angazhua në mbledhjen e fondeve, si dhe ekipin e mjekëve, të drejtuar nga Doktor Vanini, që inicoi këtë blerje me një fond shumë më të vogël se sa kushtonin realisht në treg”, tha Presidenti i Shoqatës “Një botë për një zemër”, Agim Baçi. Ndërkaq, drejtoresha Manastirliu u angazhua për rritjen e bashkëpunimit për të afruar sa më shumë donatorë që do të përmirësonin rrjetin e ndërhyrjeve në zemër, sidomos për fëmijët e vegjël. “Vlerësoj dhe falenderoj të gjithë ata që kanë kontribuar në sigurimin e këtyre instrumenteve operatore që do të përmirësojnë cilësinë e ndërhyrjeve kardiokirurgjikale”, tha Manastirliu.

SHKARKO APP