Karta e Shëndetit/ Si të aplikoni online
Karta e shëndetit tashmë mund të merret edhe online, pa qenë e nevojshme të paraqiteni në sportelet e qendrave shëndetësore ku bëhet shpërndarja e tyre. Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor bën me dije se për të marrë këtë shërbim është e nevojshme që vetëm herën e parë të pajisjes me këtë dokument duhet të paraqiteni pranë mjekut të familjes për të bërë regjistrimin. Ndërkohë që, pas përfitimit të kartës së shëndetit nuk do të keni më nevojë të bëni rinovimin e saj pranë QSHve, pasi të gjitha procedurat mund të kryhen nga një kompjuter i lidhur me internetin. Gjithashtu, FSDKSH bën me dije se edhe për pajisjen fillestare me këtë dokument, tashmë nuk është më e nevojshme të dorëzoni dokumentet që vërtetojnë gjendjen tuaj (i punësuar, i papunë, pensionist, i sëmurë kronik, etj.) Kjo pasi, vetë sistemi i mundëson operatorit, që të bëjë verifikimin online të të dhënave, pasi ai është i lidhur me zyrat përkatëse. Për shembull për një të papunë, vetë operatori bën verifikimin pranë Shërbimit Kombëtar të Punësimit, nëse personi është i regjistruar apo jo, pa qenë e nevojshme që të dorëzohet vërtetimi i papunësisë.
PROCEDURA
Ndërkaq, sa i takon pajisjes online me kartë shëndeti, fillimisht ju duhet të klikoni në portalin qeveritar www.ealbania. al. Pasi të hyni në faqen kryesore duhet të klikoni te kategoria “e-shërbime”, e cila ju liston të gjitha shërbimet shtetërore, që aktualisht merren online, ndërsa ju duhet të zgjidhni ‘Gjenerimi i kartës së shëndetit” e të klikoni mbi butonin ‘hyr’. Në këtë moment duhet të bëni regjistrimin në portal, duke plotësuar të dhënat tuaja personale si: emri, mbiemri, atësia, ditëlindja, si dhe kodin e përdoruesit që korrespondon me numrin personal, që ndodhet ndodhet në kartën tuaj të identitetit.
Po ashtu, ju kërkohet një fjalëkalim, që ju e përzgjidhni vetë, adresa juaj e-mail si dhe numri i celularit, në të cilin sapo të klikoni butonin ‘regjistrohu’ do iu dërgohet një kod 4-shifror. Menjëherë pas kësaj, portali ju kërkon vendosjen e këtij kodi, i cili iu lejon vazhdimin e procedurës. Në këtë moment në ekran shfaqet butoni ‘përdor’, pas klikimit të të cilit shfaqet varianti online i kartës tuaj të shëndetit, i cili mund të printohet menjëherë në rast se kartës tuaj aktuale i ka mbaruar afati. Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor bën me dije se karta e printuar ka të njëjtën vlerë më atë të emetuar në sportelet e qendrave shëndetësore.
Ndërkaq, sipas operatorëve të qendrave shëndetësore, përmes kësaj metode, “nëse dikur nxirrnin nga sistemi 30 karta, tani nxjerrin 70-120 për një periudhë kohore dy orë”. “Shërbimi është nga ora 8:00-20:00 dhe nxjerrim 400- 500 karta në ditë”, thonë ata. Shpërndarja e Kartës së Shëndetit ka nisur në dhjetor të vitit 2014 dhe gjatë vitit të shkuar u shpërndanë rreth 692 500 karta, ndërkohë që nga janari i këtij viti deri më tani janë shpërndarë mbi 320 mijë. Më herët FSDKSH ka bërë me dije se vlefshmëria e librezës shëndetësore është deri në datën 30 prill 2016, ndërkohë që pas kësaj date çdo person duhet të jetë i pajisur me kartë shëndeti për të përfituar shërbimet shëndetësore, që mundësohen prej saj./GSH