Katër persona të maskuar grabisin një familje në Kurbin

Maskat duket se janë shfaqur sërish në Kurbin, këtë herë pre e grabitjes ka qenë një familje. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në aksin Kurbin- Fushë Krujë, ku katër persona të maskuar kanë ndalur një automjet në rrugë.

Burime nga policia bëjnë me dije se rreth orës 02:10, në Sallën e Komandimit të Komisariatit të Policisë Kurbin ka telefonuar B.K., banues në Tiranë, i cili ka kallëzuar se rreth orës 02.00, në superstradën Kurbin-Fushë Krujë, duke lëvizur me mjetin Audi me targë AA 313 HV, bashkë me disa familjarë, i kanë dalë para katër persona të maskuar.

Të maskuarit udhëtonin me mjetin tip Benz me targë AA 332 LE. Ata kanë grabitur B.K duke i marrë shumën prej 15.000 lek të rinj, një orë dore dhe një telefon celular.

Në vijim të veprimeve ka rezultuar se mjetin autorët ia kanë grabitur pak minuta më parë drejtuesit A. Sh, banues në Kamëz Tiranë, tek kryqëzimi i Gjormit, Kurbin. Policia bën me dije se këta autorë kanë vjedhur me thyerje në lagjen nr 4, Laç, mjetin Benz 200, me targë UL DR 121, ne pronësi të Gj.M, banues në Laç.

Ndërkohë grupi hetimor ka sekuestruar tre mjetet e sipërcituara, dhe po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

SHKARKO APP