Këlliçi për vendimin e PS mbi imunitetin e Ballukut: Rama ka frikë se hetimi shkon deri te zyra e tij
Sot grupi parlamentar i PS, u vendos që nuk do të aprovohet kërkesa e SPAK-ut në Kuvend për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut. Ky qëndrim u mbështet edhe nga kryeministri Edi Rama, i cili tha se në këtë rast nuk ka akuza për korrupsion, por vetëm dyshime që lidhen me pabarazi në tendera. Deputeti i PD-së, Belind Këlliçi e cilësoi vendimin e shumicës si një mbrojtje politike ndaj qeverisë.
”Ky është një vendim i paralajmëruar nga PD prej tre muajsh. Sot zyrtarisht maxhoranca dhe kryeministri e kanë kthyer PS në mburojë dhe garante të korrupsionit qeveritar. Justifikimet janë qesharake. Të pretendosh se akuzat ndaj Ballukut janë me natyrë politike, ndërkohë që para dy vitesh kërkohej të mos pritej as për t’i hequr mandatin Sali Berishës, është standard i dyfishtë”,-tha Këlliçi.
Për të mbrojtja që kryeministri i bëri zv.kryeministres është e paprecedentë dhe nuk ka bazë juridike. ”Rama nuk dha asnjë argument juridik apo ligjor, por vetëm frikën se ky precedent mund të shkojë deri te zyra e kryeministrit, pasi deri tani hetimet kanë arritur në paradhomë. Për sa kohë Prokuroria e Posaçme ka ardhur me një kërkesë të dokumentuar me 16 mijë faqe, është e qartë se kemi të bëjmë akuza të faktuara”.
KOHA JONË SONDAZH

