Këmbanat e përmbytjeve të Lezhës

Në vend të një letre për prefektin e qarkut të Lezhës

 Nga Illo Foto/(Ish specialist në Ministrinë  e Bujqësisë, publicist)  I nderuar Prefekt! Të uroj shëndet dhe suksese në punë. Jam një ish specialist bujqësie, që të gjithë jetën e kam pasur të lidhur me zhvillimin bujqësor të ultësirës bregdetare. Një ndër tematikat kryesore të librave  të mi, lidhet me regjimin ujor të  kësaj fushe.

Situatën bujqësore shqiptare dhe veçanërisht atë të përmbytjeve, vazhdoj ta ndjek me dhimbje  dhe përgjegjësinë qytetare, që i dikton njeriut statusi atdhetar dhe profesional në të tëra kohërat.

U trishtova pa masë nga përmbytjet që ndodhen në Lezhë këtë muaj. Dëgjova deklaratat emocionale  të qytetarëve, që iu përmbytën shtëpitë dhe pronat. Dëgjova prononcimet tuaja  dhe të pushtetarëve vendorë, për këtë fatkeqësi që përsëritet periodikisht në zonat ku ju  kryeni detyren e lartë të shtetit. Ndodhem aty, midis jush me mendje dhe me zemër. Sa herë  dëgjoj  përmbytje, ndihem i zhytur në ujë deri në grykë. Kështu ndjehem edhe aktualisht, kur po ju shkruaj këtë letër solidarizuse.

Fillimisht po ju sqaroj telegrafisht, disa probleme të regjimit ujor të ultësirës sonë bregdetare, ku qarku juaj me Lezhën në krye, ka rolin kyç. Ultësira bregdetare, përfshirë dhe fushën e Maliqit në Korçë, është e vetmja në Ballkan, për nga madhësia, përbërja dhe prejardhja tokësore. Për bonifikimin e saj u investuan fonde kolosale dhe u deshën mbi 35 vite, për t’u përvetësuar tërësisht projekti, i hartuar fillimisht  nga inxhinierët italianë. Bonifikimi hidralik vazhdoi 20 vjet dhe bonifikimi bujqësor vijoi mbi  15 vjet. U krijua infrastruktura perfekte e ujrave të larta, që eleminonte teorikisht përmbytjet  dhe garantonte lagështirën optimale të parcelës, për zhvillimin bimor. Shqiptarët këtë periudhe të begatë të prodhimit fushor dhe të sigurisë ndaj përmbytjeve, e përjetuan nga viti 1980 deri 1990. Përmbytjet ishin shumë të rralla, të përballueshme dhe bujqësia  lulëzonte.

Për arsyet që dihen dhe ndoshta dikur edhe do të hetohen, infrastruktura bonifikuese u shpërbë pas viteve 90 të shekullit që kaloi. Bëhet fjalë për një tragjedi kombëtare, sepse u shkatërrua një vepër, që nuk ka krahasim për dëmet që do t’i shkaktohen vendit, për disa dekada në vijim. Kam dëgjuar që thuhet: “Hidrovoret punonin, por përmbytja nuk u eliminua”. Ky është  naivitet, kur dihet se pompa tërheq ujin që ka në rrezen e saj. Bonifikimi është sistemi i kanaleve që i bie të tëra ujrat në rrezen e pompës, në kohën më të shkurtër të mundshme. Ky është roli i bonifikimit të munguar prej 26 vitesh.

Kullimi i bregdetit shqiptar është i vështirë edhe kur rrjeti i bonifikimit është perfekt. Kur  vuan, qoftë dhe në një segment të vogël, bëhet problematik, ndërsa në rastin konkret është  inekzistent. Mendoni se ku jemi. Kjo delikatesë rrjedh për shkak të ndërtimit gjeografik. Kreshtat e Alpeve  shqiptare e ndajnë Ballkanin: në lindor, që i rrjedh ujrat në detin Egje dhe në perëndimor, që i derdh ujrat në Adriatik. Kullimi në Ballkanin lindor është pa pengesa. Bregdeti është pothuaj shkembor. Në perëndimorin është ultësira jonë me mbi 250 km. Që shumica ka qenë  fund kënete dhe në disa kuota është nën nivelin e detit. Edhe nga ky arsyetim i trashë, kuptohet se ribonifikimi i ultësirës duhet të jetë unik. Nuk mund të bëhet pjesë-pjesë dhe me nge. Duhet të kryhet shpejt dhe të jetë gjithëpërfshirës. Një projekt i tillë kushton shumë dhe kurrsesi nuk përballohet nga buxheti modest i shtetit shqiptar.

Me buxhetin shqiptar, nëse do të presupozohet kështu siç ka nisur, me “pastrim disa kanale”  do të duhen shekuj. Juve mund t’u duhet ta sqaroni më hollësisht problemin që unë ju  sugjeroj. Do t’u lutesha t’u drejtoheni specialistëve të fushës, që nuk mungojnë në Qarkun  tuaj. Ju rekomandoj dhe librin  tim “Bujqësia dhe mjedisi në tranzicion” , botuar në vitin 2011 dhe e gjeni në bibliotekë. Kam informacion se Bashkia Lezhë punon me bujqësinë më seriozisht se të gjitha simotrat e saj në vendin tonë. Mungesa e bonifikimit është fuqia më madhore, që pengon punën e përditëshme të fshatarësisë lezhiane dhe të drejtuesve të saj  vendor.  Unë mendoj se Ju jeni shtetari më i mundshëm, për ta përcjellë këtë problem madhor në  qeverinë që ju përfaqësoni në qarkun Lezhë, si nyja më e rëndësishme e ultësirës  bregdetare dhe e  Maliqit, hapësira ku jetojnë 75  % e  shqiptarëve.

Qeveria Rama, nuk është fajtore për tragjedinë e krijuar në fushën bregdetare. Kjo qeveri  po e trash zullumin, nëse këtë problem nuk e parashtron për zgjidhje, nëpërmjet Komunitetit Europian ose formave të tjera. Afati për këtë zgjidhje ka kaluar me kohë.

Justifikimet se, përmbytjet jane shtuar për shkak të ngrohjes globale, nuk është shpjegimi i plotë. Vetë ngrohja globale është një shkak më shumë për zgjidhjen e shpejtë të këtij problemi malinje. Nuk e kuptoj, si nuk  bëhet problem nga Qeveria jonë, një çështje me rëndësi kaq të madhe jetike për vendin, por edhe për mjedisin europian. Këto janë çështje me sensibilitet të lartë dhe  fondet e “njëzetshes” përdoren për këtë  natyrë  investimesh.

Juve i nderuar Prefekt, jeni pushtetari brenda dhimbjes që shkakton ky problem tragjik. Ju  lutem, këto pak konkluzione që ju shënova, ja transmentoni qeverisë, që ju ka deleguar me  detyrën tuaj të lartë. Bëhuni nismëtar i një prej zgjidhjeve më humanitare të kohëve të reja, për Atdheun dhe më gjerë.

Të uroj shëndet dhe suksese në punë!

*Gazeta “Drini” e Lezhës

SHKARKO APP