Kërcënimi nga Shullazi, ja çfarë i premtoi ministri Saimir Tahiri Dhori Kules
Prokuroria për Krime të Rënda do të vazhdojë hetimet për akuzën e “gjobëvënies” për Emiljano Shullazin, pavarësisht se asnjë nga biznesmenët e kërcënuar nuk pranon të bëjë kallëzim penale.
“ABC News” ka mësuar se hetimet ndaj Shullazit dhe të dyshuarve si pjesëtar të “bandës” së tij, do të vazhdojnë edhe pse deri më tani, biznesmenët nuk kanë pranuar se janë gjobitur. Burimet thonë, se për momentin prokuroria nuk po merret me pyetjen e këtyre biznesmenëve, pasi po punohet në rrugë operative që të provohet kontakti i tyre me bandën e Shullazit dhe personave ndërmjetës.
Vepra penale, për të cilën akuzohet Shullazin, thonë burimet nuk është vepër penale që personi mund të heq dorë apo mos të kallëzojë. Kjo vepër ndiqet penalisht edhe me iniciativë të prokurorisë, për të provuar krimin që të dyshuarit mendohet se kanë konsumuar.
Sa i përket informacioneve të Shërbimit Informativ Shtetëror, burimet thonë se ata nuk mund të përdoren si prova materiale në fashikullin e hetimit. Por si informacion që përdoren nga agjentët dhe oficerët e policisë gjyqësore për të shkuar te prova material. Për këtë fakt, burimet sqarojnë se që nga shkurti prokuroria ka punuar në mbledhjen e provave për të provuar gjobëvëniet e Shullazit ndaj biznesmenëve.
Përveç kësaj, hetuesit thonë se para hetuesve ende asnjë nga dëshmitarët e pyetur nuk ka mohuar atë se çfarë ka deklaruar në fazën e hetimit paraprakë, duke ju referuar edhe deklarimeve në media të noterit M. Prifti.
Nga ana tjetër, prokuroria ka dërguar në Laboratorin e Policisë Shkencore rreth 30 kamera të sigurisë të cilat janë sekuestruar nga biznese e rrugë të ndryshme në Tiranë. Në mesin e këtyre pamjeve, mësohet se janë pamjet e kamerave të sigurisë së hyrje daljeve të kryeqytetit, kamera e bashkisë që ndodhen në kryqëzime dhe rrugë kryesore, kamera të policisë si dhe bizneset e ndryshme.
Sipas prokurorisë, nuk janë gjetur kamera sigurie në momentin e kërcënimit dhe dhunimit të profesor Mynyr Koni. Ndërsa në laborator janë dërguar edhe pamjet e hotelit të njohur në vend, në oborrin e të cilit profesor Dhori Kule pretendon se është kërcënuar. Sipas këtyre pamjeve, thonë burimet, profesor Kule duket që takon disa persona, por nuk mund të identifikohen me sy të lirë se kush janë ata.
Vet profesor Kule ka pretenduar se është kërcënuar nga disa persona, kërcënim për të cilin ai ka pranuar në prokurori se e ka vënë në dijeni edhe kryeministrin Edi Rama. Ky i fundit, ka njoftuar ministrin e brendshëm Sajmir Tahiri i cili së bashku me drejtorin e përgjithshëm të policisë Haki Çako dhe drejtorin e policisë Tiranë Ervin Hodaj e kanë takuar 1 orë para se ish-kryeministri Berisha të dalë publikisht e ta denoncojë këtë fakt.
Në deklarime, profesor Kule thotë se gjatë bisedës, ministri Tahiri i ka premtuar se do ta zgjidhë këtë kërcënim. Por pa dhënë shpjegime, se si do të ishte zgjidhja, ligjore apo private me të dyshuarin që u arrestua 11 orë pas këtij takimi me urdhër të prokurorisë për krime të rënda.
KOHA JONË SONDAZH

