Kërcënohet personi që xhiroi videon e dhunës policore ndaj të riut Tomi Misha në Korçë

Personi që regjistroi me celular videon në Korçë, kur 33-vjeçari Tomi Misha u dhunua nga dy efektivë policie, deklaron se ndihet i kërcënuar, pasi pretendon se është identifikuar nga pamjet e kapura nga kamerat e një banke. Përmes një lidhjeje me “Skype” në emisionin “Me zemër të hapur” në “News24”, i riu deklaroi se të gjithë në Korçë e dinë kush e regjistroi videon dhe për këtë ka marrë edhe kërcënime indirekte.

“Njerëzit në Korçë e dinë se kush është protagonist i videos. Një njeri i ka thënë babait tim, nuk ka bërë mirë që e ka regjistruar videon dhe do ketë probleme. Dy ditë pas ngjarjes, babai im e kishte takuar rastësisht këtë personin, nuk e dinte që ishte babai im dhe unë ndihem i kërcënuar, sepse ai kishte thënë nuk bëri mirë që e regjistroi dhe do të ketë probleme për këtë që bëri. Nuk dua të dal nëpër media. Këtu pranova të flas në kushte anonimati sepse nuk ndihëm i sigurt për jetën time. Dyshoj se më ka dalë emri nga filmimet e një banke përballë ku dukem me pamje ballore teksa filmoja ngjarjen. Nuk jam i sigurtë, kam një ndrojtje, frikë. Nuk kam besim tek institucionet.”- deklaroi i riu.

Pak ditë më parë në Korçë, 33-vjeçari Tomi Misha u dhunua nga dy efektivët Robert Memelli dhe Nevzat Blushi, pasi i riu i gërvishti makinën nëndrejtorit të Policisë së Korçës, Arben Hyseni.

SHKARKO APP