Kërkoheshin në Itali, një i dënuar me 20 vite burg, prangosen në Morinë

Dy persona, njëri prej të cilëve i dënuar me 20 vite burg, tentuan të kalonin kufirin për në Kosovë, por vihen në prangat e policisë. Të dy këta persona që ishin shpallur në kërkim ndërkombëtar, u arrestuan mëngjesin e së shtunës nga policia në Pikën e Kalimit Kufitar të Morinës, në Kukës.  Policia e Shtetit bëri të ditur se, gjatë përpunimit të dokumentacionit të shtetasve u kap 48-vjeçari nga Peja e Kosovës, Ferid Toska, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga drejtësia italiane për “vjedhje me dhunë” dhe “pjesëmarrje në organizatë kriminale”. Gjithashtu, po në këtë pikë të kalimit kufitar u kap shtetasi në kërkim ndërkombëtar, Skënder Driza. Sipas policisë, ndaj 45-vjeçarit nga Shijaku një gjykatë italiane ka lëshuar urdhrin e arrestit dhe e ka dënuar atë me 20 vjet burg për “shfrytëzim prostitucioni” dhe “bashkëpunim në organizatë kriminale”. Të dy të arrestuarit pritet të ekstradohen drejt Italisë, për llogari të drejtësisë së vendit fqinj.

SHKARKO APP