Kërkonte 25 mijë euro për bamirësi, arrestohet 19-vjeçari

Një 19-vjeçar është arrestuar si dhe është proceduar penalisht bashkëpunëtori i tij, pasi mashtronin përmes profileve të rreme në rrjetet sociale duke kërkuar ndihma për persona të sëmurë.

Si rezultat i operacioni policor të koduar  “Maskimi”, i realizuar nga Njësia për Hetimin e Krimeve Kibernetike  është vënë në pranga 19-vjeçari me inicialet J. M., si dhe është proceduar penalisht 22 vjeçari me inicialet E. P.

Policia njofton se hetimet kanë nisur pas kallëzimit nga administratori i një fondacioni bamirës, i cili konstatoi se një profil në rrjetet sociale kërkonte një ndihmë financiare prej 25.000 eurosh, në emër të një shtetasi që kishte probleme shëndetësore, ndërkohë që ky shtetas nuk kishte njohje me emrin e shtetasit që paraqitej në profilin e rrjetit social.

“Materiali hetimor i ndjekur nga Njësia për Hetimin e Krimeve Kibernetike kishte të bënte me dyshime të arsyeshme se këta shtetas kishin hapur një numër të madh profilesh të rrjeteve sociale me të dhëna të rreme, me qëllim mashtrimin e shtetasve që dëshironin të jepnin ndihma financiare për persona të ndryshëm. Nga këto profile, ky shtetas kërkonte ndihma financiare për persona që kishin probleme shëndetësore dhe u nevojitej ndihmë financiare nga qytetarë të tjerë:, njofton policia.

Policia bën me dije se pas realizimit të operacionit u konstatua se ky shtetas kishte hapur 10 profile me të dhëna të rreme, nëpërmjet të cilave janë kryer dhe veprimet kriminale.  Gjatë kontrollit të banesës dhe kontrollit të këtyre shtetasve, në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 2 telefona celular, karta SIM dhe dokumente të llogarive bankare.

Materialet hetimore u dërguan në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, për vazhdimin e veprimeve të mëtejshme hetimore dhe procedurale, për veprën penale “Mashtrimi kompjuterik”.

SHKARKO APP