Këshilli Bashkiak Kamzës miraton ndihmën ekonomike për familjet në nevojë dhe PAK

 

Pas ngërçit disajavor të shkaktuar nga këshilltarët e majtë, dje u mblodh Këshilli Bashkiak i Kamzës, me kuorumin e nevojshëm, duke bërë të mundur kështu kalimin e disa projektvendimeve, më të rëndësishmet prej të cilave ato për dhënien e ndihmës ekonomike familjeve në nevojë, personave me aftësi të kufizuara, familjeve që u kanë ndodhur fatkeqësi, si djegie shtëpie etj.

Në këtë mbledhje ishte i pranishëm edhe kryetari i Bashkisë, z. Xhelal Mziu, i cili në fjalën e tij fillimisht u ka kërkuar ndjesë familjeve dhe personave në nevojë për vonimin e miratimit të ndihmës ekonomike. Ai ka theksuar se ishte një kapriço politike e një niveli të ulët, e momentit e të majtëve, e panevojshme, që bllokoi në mënyrë të pakuptimtë e pa argument projektvendimet për kalimin e ndihmës ekonomike.

Ai e ka quajtur ngërç jashtë kapaciteteve ligjore dhe njerëzore, gjë që çoi në një konflikt dhe kosto sociale për dy shtresat më në nevojë të shoqërisë. Më tej në fjalën e tij z. Mziu theksoi se nuk janë respektuar procedurat dhe institucionet nga ana e të majtëve, por më e rëndësishmja nuk janë respektuar qytetarët e Kamzës, veçanërisht ata që kanë më shumë nevojë. Gjithashtu, ai bëri të ditur se katër herë është kërkuar mbledhja e Këshillit, por është bllokuar për shkak të mungesës së këshilltarëve të majtë. Ai ka shprehur keqardhjen për ata këshilltarë me përvojë që u bënë pjesë e kësaj skeme të panevojshme që rëndon mbi qytetarët.

Zoti Mziu tha se ishte i sigurt që qytetarët e njohin situatën, i dinë shkaqet e ngërçit. Në fjalën e tij ai deklaroi se nuk kërkon gjë tjetër, veçse respektimin e ligjit, si dhe u bëri thirrje këshilltarëve të majtë të mos prishin imazhin e qytetit të Kamzës, pasi sado që të mundohen, nuk mund të nëpërkëmbin as institucionin e Bashkisë, as qytetarët, as familjet në nevojë, as personat me aftësi të kufizuara.

Në mbledhjen e Këshillit, veç dhënies së ndihmës ekonomike kategorive përkatëse, u miratuan edhe një sërë projektvendimesh, si ai për ndërtimin e bazamentit të urës në Paskuqan 1; për riparimin e rrugës “Arbrit”; projektvendimet për dhënien e titullit “Qytetar Nderi” Ibrahim Bashës dhe Jashar Hoxhës; emërtimi “Ibrahim Basha” i shkollës 9-vjeçare në Bulçesh; u miratua projektvendimi për marrëveshjen e binjakëzimit midis Bashkisë Kamëz dhe Bashkisë Galway të Irlandës, si dhe projektvendimet për dhënien e ndihmës së emergjencës familjeve të cilave u janë djegur shtëpitë.

 

SHKARKO APP