Këshilli Bashkiak miraton disa vendime të rëndësishme, Ristani apel qytetarëve për kujdes ndaj zjarreve dhe lirimin e hapësirave publike

Në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak të Tiranës, kryetarja e komanduar e Bashkisë, Anuela Ristani, i bëri thirrje qytetarëve për vëmendje të shtuar ndaj rrezikut të zjarreve gjatë këtyre ditëve të nxehta vere, duke kërkuar një bashkëpunim të gjerë për raportimin në kohë të çdo vatre të dyshuar. “Jemi në ditët më të nxehta të korrikut dhe rreziku për zjarre është shumë i lartë. Ju ftoj të gjithëve për bashkëpunim. Jeni përfaqësues të komuniteteve tuaja dhe mund të jepni ndihmesë të çmuar për të parandaluar përhapjen e flakëve. Vetëm së fundmi, në zonën e Teleferikut u përfshinë nga zjarri rreth 3000 metra katrorë. Dua të falënderoj të gjithë zjarrfikësit dhe shërbimet publike për ndërhyrjen në kohë dhe shmangien e pasojave,” u shpreh Ristani.

Në vijim të fjalës së saj, ajo falënderoi qytetarët për bashkëpunimin e treguar deri më tani në lirimin e hapësirave publike dhe i inkurajoi që të vazhdojnë të raportojnë raste të tilla. “Faleminderit për gjithë bashkëpunimin tuaj, sinjalizimet, durimin. Ajo që dua të bëjmë të gjithë bashkë është të kuptojmë se jemi këtu për një mision të përbashkët: për t’u rikthyer hapësirat publike qytetarëve. Kemi një numër të kufizuar forcash ndërhyrjeje, ndërkohë që çdo ditë marrim nga 500 deri në 2000 denoncime.

Për këtë arsye, kërkoj mirëkuptimin tuaj që çdo shqetësim do të trajtohet sipas rendit dhe në kohën e duhur”, theksoi ajo.

Swiss Digital Desktop Reklama

Një tjetër moment i rëndësishëm i mbledhjes ishte miratimi i projektvendimit “Për dhënien e pëlqimit për kalimin në përgjegjësi administrimi, nga Bashkia Tiranë, te Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, të pronës me nr. pasurie 7/74, zona kadastrale 8160”.

Swiss Digital Mobile Reklama

Sipas Ristanit, “Pallati i Kongreseve, pavarësisht mirëmbajtjes ndër vite, ka shfaqur shenja të qarta amortizimi. Për këtë arsye, institucione të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit do të marrë përsipër rijetëzimin e tij. Ky projekt synon ta shndërrojë godinën në një qendër multifunksionale për konferenca, evente kulturore, tubime publike dhe politike. Do të përmirësojë infrastrukturën, do të nxisë turizmin dhe zhvillimin ekonomik lokal, si dhe do të krijojë mundësi për investime, punësim dhe bashkëpunim ndërkombëtar, kulturor e intelektual.”

Ndërkohë, në rendin e ditës u miratuan edhe një sërë vendimesh të rëndësishme me karakter social. U miratuan familjet përfituese nga programi i bllok-ndihmës ekonomike për periudhën maj-qershor 2025, si dhe individët dhe familjet që do të përfitojnë bonusin e qirasë, si pasojë e prekjeve nga projektet infrastrukturore, përfshirë ndërtimin e aksit Thumanë–Vorë–Kashar. Po ashtu, u trajtuan me subvencion qiraje disa familje në nevojë që nuk mund të përballojnë tregun e lirë të banesave. Në fund, u miratua edhe kompensimi ushqimor për nxënësit e shkollave publike, të përfshirë në projektin “Bëjmë detyrat e shtëpisë”, për periudhën prill-qershor 2025.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?