Këshilli Bashkiak miraton ndryshimin e taksave

 Këshilli Bashkiak i Tiranës ka miratuar në mbledhjen e sotme disa vendime të rëndësishme dhe me ndikim direkt te bizneset dhe qytetarët, kryesisht duke lehtësuar ndjeshëm barrën fiskale të biznesit të vogël. Nën drejtimin e kryetarit të Këshillit Bashkiak, Aldrin Dalipi dhe me pjesëmarrjen e nënkryetares së Bashkisë së Tiranës, Brunilda Paskali, këshilli miratoi disa ndryshime në vendimin numër 59, datë 30.12.2015 “Për sistemin e taksave dhe tarifave vendore në qytetin e Tiranës”.

Me anë të këtij vendimi, së pari u bë ndryshimi i niveleve të “Taksës mbi kalimin e së drejtës së pronësisë për pasuritë e paluajtshme”. Ky ndryshim vjen si rezultat i interpretimeve në raport me ndryshimet e fundit në ligjin “Për sistemin e taksave vendore” dhe vështirësitë e aplikimit në praktikë nga institucionet përgjegjëse të niveleve të miratuara. Sipas këtij vendimi, niveli i taksës së kalimit të “Taksës mbi kalimin e së drejtës së pronësisë për pasuritë e paluajtshme” për njësitë administrative: Dajt, Farkë, Kashar, Bërzhitë, Pezë, Baldushk, Vaqarr, Petrelë, Krabë, Ndroq, Shëngjergj, Zal-Herr, Zall-Bastar, taksa për ndërtesë banimi nga 1000 lekë shkon në 100 lekë, për ndërtesat e tjera për tregti dhe shërbime nga 2000 lekë në 300 lekë, ndërsa për ndërtesat e tjera nga 1500 lekë shkon në 200 lekë.

Gjithashtu, me anë të këtij vendimi u miratua propozimi për heqjen e taksës së pastrimit që do të merrej për çdo tavolinë për subjektet: bar, kafe, restorante, fast-fund, kafe-internet e të tjera aktivitete të ngjashme me to. Ky vendim u mor me qëllim ekuilibrimin e ngarkesës së shtuar fiskale nëpërmjet aplikimit të tarifës së re për zënien e hapësirës publike.

Me anë të këtij vendimi u miratua edhe ndryshimi i ndarjes territoriale të zonave të qytetit të Tiranës për efekt të tarifës për zënien e hapësirave publike. Sipas këtij vendimi, bëhet e mundur ngushtimi i zonës A, ku aplikohen tarifat më të larta (1500 lek për m2) dhe kthimin e tyre në zona B, ku tarifa është sa gjysma e nivelit të zonës A (750 lek për m2). Ky vendim vjen në zbatim të marrëveshjes së arritur në tre takimet që kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka zhvilluar më parë me përfaqësuesit e biznesit dhe synon aplikimin e tarifës në përputhje me zhvillimin ekonomik të zonës respektive dhe uljen e ngarkesës fiskale për bizneset që ushtrojnë aktivitet në zona me tregues ekonomik më të dobët.

Gjithashtu, pjesë e këtij vendimi ishte dhe pika që mundëson që për muajit Janar dhe Shkurt bizneset do të paguajnë me tarifat e vjetra. Lidhur me ndryshimet që prekin taksat dhe tarifat, gjatë paraditës së sotme u mblodh edhe komisioni i Ekonomisë, i cili për më shumë se tre orë diskutoi për ndryshimet e miratuara.

Pjesë e vendimmarrjes së Këshillit Bashkiak ishte edhe dhënia e ndihmës ekonomike për disa familje të qytetit të Tiranës për përballimin e dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësitë. Më konkretisht Këshilli Bashkiak vendosi t’i akordojë ndihmë financiare për familjen Toska në vlerën e 542 mijë lekëve, për familjen e Dalipi 238 mijë lekë, për familjen Jahja 1483 mijë lekë, për familjen Mustafa Reçi 574 mijë lekë, dhe Riza Reçi me 1 milionë e 446 mijë lekë.

Këshilli Bashkiak miratoi me konsensus vendimin për vendosjen e bustit të Papa Françeskut në lulishten ku gjendet simboli i Kambanës së Paqes, pranë Piramidës në Bulevardin Dëshmorët e Kombit. Gjithashtu, vendosi emërimin e një rruge në Tiranë me emrin e ish presidentit bullgar, Zhelju Zhelev, si dhe vendosjen e një pllakate përkujtimore për Janos Hunaidin në një prej shesheve të Tiranës. Këshilli Bashkiak miratoi edhe Rregulloren e Financimit të projekteve kulturore, artistike, rinore dhe sportive në Bashkinë e Tiranës.

Për sa i përket ndryshimeve në sistemin e taksave vendore, Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, Brunilda Paskali, tha se administrata e bashkisë ka pasur një sërë takimesh dhe negociatash me përfaqësues të biznesit, dhe i propozon këshillit disa ndryshime për të lehtësuar ngarkesën e tyre fiskale. “Do të shfuqizohet tarifa e pastrimit për vendosjen e tavolinave në hapësira publike për subjektet bar, restorant, kafe, fastfood etj,. Niveli i kësaj tarife është aktualisht 2500 lekë për çdo tavolinë në muaj. Shfuqizimi i kësaj nënkategorie brenda tarifës së pastrimit do të sjellë ulje të ngarkesës fiskale të bizneseve. Pra një biznes me 10 tavolina, detyrimi do të ishte 25 mijë lekë ulje në muaj ose 300 mijë lekë ulje në një vit. Nivelet e tjera të tarifës së pastrimit mbeten të pandryshuara”, u shpreh Paskali.

Më tej, ajo bëri të ditur se për tarifat për zënien e hapësirave publike, do të ketë një rizonim i cili në këtë rast mundëson ngushtimin e zonës A, ku aplikohen tarifat më të larta dhe kthimin e tyre në zona B, ku tarifa është gjysma e nivelit të zonës A. “Gjithashtu për arsye se detyrimet për muajt janar dhe shkurt 2016 në lidhje tarifën për zënin e hapësirës publike janë njoftuar së bashku dhe i krijojnë një ngarkesë të lartë fiskale, Bashkia mori në konsideratë kërkesën e bizneseve për të mos i aplikuar tarifat e reja deri në 1 mars 2016 dhe të vijojë me nivelet e mëparshme vetëm në këtë periudhë”, përfundoi Paskali.

SHKARKO APP