Keta: Viti i ri shkollor nuk mund të jetë eksperiment

Sot ministrja e Arsimit, Besa Shahini foli për fatin e vitit shkollor, edhe pse përmendi muajin shtator, nuk dha një datë për nisjen, duke lënë pikëpyetje. Majlinda Keta, ish-drejtoreshë e arsimit në Tiranë, njëkohësisht pedagoge e shkencave sociale. Keta u shpreh se viti i ri shkollor nuk mund të jetë sërish një eksperiment.

”Kaluam 3 muaj eksperiment, por viti i ri nuk mund të vazhdojë me eksperiment, pasi do të cenohej situata e nxënies te fëmijët dhe do të krijonte pasoja të rëndë si stres. Unë do të isha dakord për të rehabilituar psikologjikisht fëmijët tanë, do të isha shumë dakord për të ekzistuar mundësia për t’u rikthyer në bankat e shkollës, pasi që nga nëntori i kaluar fëmijët kanë kaluar dy katastrofa natyrore me pasoja të rënda në procesin edukativ, duke krijuar probleme të mëdha si stres, ankth dhe pasiguri. Por, përballë dëshirës për t’u rikthyer në bankat e shkollës, ne duhet të analizojmë maksimizimin e efektshmërisë për t’u mbrojtur nga Covid-19 dhe maksimizimin e efektshmërisë nëse zgjedhjet tona do të jenë të alternuara midis kthimin në bankë dhe kthimit të mësimit online. Unë do të preferoja të shkonim tek e para. Në këtë situatë, unë do t’i bëjë thirrje të gjithë qytetarëve që të jemi shumë rigoroz në zbatimin e masave anti-Covid, kemi apo nuk kemi fëmijë për në shkollë, t’i japim frymë një dëshire të madhe të fëmijëve, me qëllim që kontaminimi i popullatës të lehtësojë rikthimin e fëmijëve në bankat e shkollës”,- tha në ”A2cnn”.

Ish-drejtoresha e arsimit në Tiranë u shpreh më tej se jo vetëm shkollat, por edhe kopshtet dhe çerdhet nuk janë gati të presin fëmijët në këtë situatë. “Sot që ne flasim, bashkitë nuk kanë bërë detyrat e tyre për pastrimin dhe sigurimin e një baze materiale”. Keta theksoi se ne duhet të rikonceptojmë sistemin në favor të dy mundësive, të kthimit në banka dhe online.

SHKARKO APP