Kina: Nëse Trump mbështet Tajvanin dy shtetet do hyjnë në konflikt të armatosur!
Tajvani u shfaq si një nga pikat kyç gjatë bisedimeve. Sipas një njoftimi të publikuar nga agjencia shtetërore kineze e lajmeve Xinhua, Xi e paralajmëroi Trumpin se menaxhimi i gabuar i kësaj çështjeje mund t’i shtyjë dy vendet drejt një konfrontimi të drejtpërdrejtë.
“Nëse menaxhohet si duhet, dy vendet mund të ruajnë stabilitetin”, tha Xi, sipas njoftimit kinez për bisedimet.
“Nëse menaxhohet keq, dy vendet do të përplasen ose madje do të hyjnë në konflikt, duke e vënë të gjithë marrëdhënien SHBA-Kinë në një situatë jashtëzakonisht të rrezikshme”.
Kina e konsideron ishullin vetëqeverisës pjesë të territorit të saj dhe është zotuar se do ta vë nën kontroll, qoftë edhe me forcë. Zyrtarët kinezë kanë ushtruar presion ndaj Uashingtonit që të zvogëlojë mbështetjen ushtarake dhe politike për Tajpein, veçanërisht sa i përket shitjeve të armëve amerikane për ishullin.
Administrata e Trumpit raportohet se e shtyu njoftimin ndaj Kongresit për një paketë të planifikuar armësh prej 13 miliardë dollarësh për Tajvanin përpara samitit, me qëllim që të shmangte rritjen e tensioneve me Pekinin. Gjatë një bisede telefonike në shkurt, Xi i kishte kërkuar Trumpit që ta trajtonte këtë çështje me “kujdes ekstrem”.
“Xi Jinping dëshiron disa lëshime ose disa garanci lidhur me Tajvanin dhe për atë se çfarë do të bënte Trumpi në rast se Kina do ta rriste presionin ndaj ishullit”, tha për Radion Evropa e Lirë, Yvonne Chiu, bashkëpunëtore në Institutin American Enterprise. “Kjo lidhet po ashtu me një objektiv më të gjerë të Pekinit, që është kundërshtimi i SHBA-së në rajonin e Indo-Paqësorit”.
KOHA JONË SONDAZH

