Kishin ardhur me pushime në Dhërmi, u shpërndanin droga të forta pushuesve
Pesë persona të huaj, turistë në Dhërmi, janë arrestuar pasi shpërndanin droga të forta. Nga veprimet hetimore dyshohet se këta pesë persona kishin ardhur si turistë në Dhërmi dhe në bashkëpunim me njëri-tjetrin, shpërndanin lëndë narkotike në doza, në këtë zonë bregdetare, kryesisht për turistët e tjerë, në lokalet e natës dhe në aktivitetet e ndryshme të argëtimit që zhvillohen në bregdet, gjatë sezonit turistik.
Gjatë kontrollit fizik dhe kontrollit të ambienteve ku këta shtetas ishin akomoduar, Polica gjeti një sasi lënde narkotike të llojit GHB (Gamma-hydroxybutyrate), të ndarë në 160 doza, 30 doza Poppers, 49 doza ekstazi, 2 doza MDMA, 18 doza kokainë dhe 3 doza kanabis, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Gjithashtu u bllokuan edhe 5 aparate celulare. Po ashtu u gjetën dhe u sekuestruan 2 610 pesos (monedha argjentinase), 340 euro dhe 400 dollarë, para këto të përfituara nga shitja e lëndëve narkotike.