KKT miraton 73 projekte ndërtimi – përfshihet një super resort në Darëzezë dhe një kullë 49-katëshe në Tiranë
Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit miratoi në mbledhjen e muajit prill 73 leje ndërtimi, duke përfshirë kulla shumëkatëshe, resorte bregdetare dhe projekte të tjera të mëdha infrastrukturore.
Ndër më të spikaturat është projekti gjigand në zonën e Darëzezës, pjesë e Planit të Detajuar Qendror për Zhvillimin Turistik të Bregdetit Adriatik, me një vlerë investimi mbi 1 miliardë euro. Projekti përfshin ndërtimin e një pedonaleje të stilit Lungomare, zona sportive dhe rekreacioni, struktura akomodimi sezonale, hotele ndërkombëtare, akuapark, fushë golfi, kamp veror ndërkombëtar, akademi dhe treg për produktet lokale.
Zvërneci është një tjetër zonë ku KKT ka dhënë leje për një resort të madh, i cili do të ndërtohet nga kompania Zvërnec South Adriatic Development.
Në kryeqytet, bie në sy leja për një kullë 49 kate në rrugën Reshit Petrela, që do të ndërtohet nga kompania E.S.E.C., me seli në Durrës dhe e zotëruar nga Edmond Dako, vëllai i ish-kryetarit të Bashkisë Durrës, Vangjush Dako.
Lista e projekteve tregon një valë të re ndërtimesh në bregdet dhe në Tiranë, me fokus në turizëm, argëtim dhe zhvillim urban intensiv.
KOHA JONË SONDAZH

