Klandestinë me furgona drejt Tiranës, goditen dy tentativa të transportit të emigrantëve me pagesë
4 persona u arrestuan dhe dy të tjerë u shpallën në kërkim në dy tentativa të transportit të emigrantëve me pagesë nga juglindja drejt Tiranës!
Këto pamje tregojnë mënyrën si po transportoheshin 26 emigrantë të paligjshëm brenda një furgoni nga Korça drejt Tiranës nga tre persona që kishin marrë përsipër ti ndihmonin të kalonin tranzit drejt vendeve të BE, kundrejt pagesës.
Në kohën kur mjeti u ndalua, drejtohej nga një 17-vjeçar pa patentë, ndërsa në pranga bashkë me të përfundoi edhe 24-vjeçari Kevin Rënxa, ndërsa një tjetër i mitur u shpall në kërkim.
Policia thotë se ata u kapën në vendin e quajtur “Ura e Drithasit”, në Maliq, në rrugë drejt kryeqytetit.
Një tjetër rast i veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit u godit nga Policia e Elbasanit.
Dy persona u arrestuan në aksin rrugor Librazhd-Elbasan, duke transportuar 7 shtetas të huaj, kundrejt fitimit 200 euro për person.
Një 24-vjeçar nga Korça, bashkëpunëtor i tyre u shpall në kërkim, pasi arriti ti shpëtojë prangave.
Që prej vitit 2016, kur Shqipëria u përfshi në rrugën e klandestinëve drejt vendeve të BE, fluksi i emigrantëve mbetet i lartë.
Ata hyjnë nga kufiri i gjelbër me Greqinë dhe nëse i shpëtojnë rrjetës së parë të FRONTEX vazhdojnë rrugën në dy drejtime kryesore.
E para, përfshin fshatrat Vërnik-Tren-Mançurisht-Zvezdë.
Rruga tjetër nis në Trestenik që cilësohet portë hyresë e vijon në Miras-Arrzë e Dardhë.
Përgjatë vitit që lamë pas janë kapur 15 mijë klandestinë, fluks që ka qenë i lartë edhe në tre muajt e parë të 2021. /Ora News