KLGJ cakton gjyqtarët për Mediat

Këshilli i Lartë Gjyqësor zhvilloi sot mbledhjen e radhës, e në zbatim të nenit 91§3 të Ligjit 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, vendosi caktimin në pozicionin e Gjyqtarit për Mediat, gjyqtarët e mëposhtëm:

Vojsava Osmanaj – juridiksioni i Apelit Shkodër

Edlira Petri – juridiksioni i Apelit Tiranë

Desart Avdulaj – juridiksioni i Apelit Durrës

Klodiana Gjyzari – juridiksioni i Apelit Vlorë

Etleva Temo – juridiksioni i Apelit Korçë

Enton Dhimitri – juridiksioni i Apelit Gjirokastër

Lindita Sinanaj – juridiksioni i Apelit Administrativ

Saida Dollani – juridiksioni i Apelit për Krime të Rënda / për gjykimin e veprave penale të krimit të organizuar dhe korrupsionit.

“Gjyqtarët për Mediat do të ushtrojnë detyrat në funksion të rritjes së transparencës në veprimtarinë gjyqësore, si një element i rëndësishëm për shtetin e së drejtës dhe një garanci më tepër për një gjykim të drejtë. Drejtësia jo vetëm duhet të bëhet, por edhe të shihet që bëhet, e për këtë, transparenca, në mënyrë të veçantë karshi medias, është thelbësore. Nëpërmjet transparencës dhe informimit të publikut, gjyqësori do të mund të evidentojë vlerat e gjyqtarëve, të lehtësojë ndërveprimin me publikun e të forcojë besimin e publikut në të, si mbrojtës i interesit publik dhe i të drejtave e lirive themelore të individit.

Vendimi i sotëm konfirmon angazhimin e Këshillit për vendosjen e marrëdhënieve të mira me mediat, duke marrë masat për të lehtësuar realizimin e misionit të tyre sa më mirë. Këshilli i Lartë Gjyqësor mban në konsideratë se komunikimi me mediat si një institucion social, për të qenë efektiv e në shërbim të drejtësisë, si komponent thelbësor për një shoqëri të lirë dhe demokratike, duhet të jetë sa më i përgjegjshëm dhe profesional. Këshilli njeh dhe kontribuon në lirinë e dhënies së informacionit të hapur dhe transparent për publikun, të shprehjes së lirë të mendimit dhe opinioneve, si themeli esencial i një shoqërie të hapur dhe demokratike, duke inkurajuar edhe formimin dhe shprehjen e mendimit të lirë kritik për vetë funksionimin e Këshillit dhe të sistemit gjyqësor.

Këshilli i Lartë Gjyqësor, në veçanti anëtari i caktuar për kryerjen e detyrave në lidhje me marrëdhëniet me publikun, do të bashkëpunojë ngushtësisht me Gjyqtarët e Medias për mbarëvajtjen e marrëdhënieve të gjyqësorit me publikun dhe mediat, me synim rritjen e transparencës dhe forcimin e besimit të publikut në sistemin gjyqësor”, njofton Këshilli i Lartë Gjyqësor.

SHKARKO APP