
Gazetarja Klodiana Lala ka ngritur shqetësime serioze lidhur me masat e marra për mbrojtjen e selisë së Partisë Socialiste dhe institucioneve shtetërore gjatë protestave në Tiranë. Ajo kritikoi përfshirjen e zyrtarëve publikë në përballjet me protestuesit, si dhe angazhimin e forcave speciale për menaxhimin e demonstratave.
Duke iu referuar një incidenti pranë selisë së PS-së, Lala deklaroi se disa zyrtarë vendorë kanë dalë nga ambientet e selisë të pajisur me shkopinj dhe janë përfshirë në përplasje me protestuesit. Ajo e konsideroi këtë një situatë shqetësuese, duke vënë në pikëpyetje arsyet pse mbrojtja e institucioneve politike nuk i lihet vetëm strukturave përgjegjëse të rendit.
”Ka pasur një episod te selia e PS. Dy ditë më parë protestuesit shkuan atje afër te selia vetem me disa gurë. Nga brenda selisë së PS, që është partia qeverisëse dhe Rama kryetar i saj, dolën zyrtarë vendorë të pajisur me shkopinj. Pra, një qeveri që nuk ka besim te organet e zbatimit të ligjit dhe te policia e saj, e ruan selinë e vet me forcë paralele”,-tha në ”News 24”.
Gazetarja pretendoi gjithashtu se situata të ngjashme janë vërejtur edhe pranë Ministrisë së Brendshme dhe institucioneve të tjera. Sipas informacioneve që ajo bëri publike, brenda disa godinave shtetërore ndodhen zyrtarë të pajisur me mjete të forta, të gatshëm për t’u përballur fizikisht me protestuesit në rast se ata hyjnë në ambiente.
Gjatë intervistës, Lala kritikoi edhe mënyrën sesi pushteti po e paraqet lëvizjen protestuese në opinionin publik. Ajo argumentoi se etiketimi i protestuesve si persona të dhunshëm synon të krijojë një perceptim negativ për ta dhe të justifikojë reagimin e autoriteteve.
