Klosi: Gjuha e urrejtjes, jo pjesë e fjalorit të të rinjve

 

Ministri i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi, mori pjesë në aktivitetet e organizuara për gjate kater ditëve në një  kamping në periferi të Tiranës, në sajë të promovimit të dialogut dhe bashkepunimit tek të rinjtë.

“Jo gjuhës së urrejtjes”, është slogani që mblodhi bashkë për 4 ditë me radhë 40 të rinj nga Shqipëria dhe Kosova, në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit mes Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, me mbështetjen e Fondit të Kombeve të Bashkuara per Popullsinë (UNFPA) si pjesë e fushatës së lançuar nga KiE.

Gjatë fjalës së tij, ministri Klosi vlerësoi angazhimin e ideatorëve të kësaj nisme si një mundësi e mirë që rinia e Shqipërisë dhe Kosovës të orientohen drejt një kulture debati që përcjell sa më shumë pozitivitet në realitetin shqiptar në të dyja anët e kufirit.

“Në hulumtimet tona, në strukturimet që u bëjmë situatave apo në sondazhet që bëjmë, ndjejmë realisht një shqipe që po varfërohet gjithmonë e më shumë nga ajo shqipja e pastër, nga fjalët e urta, nga gjuha e mirë, nga trajtimi i gjësë me pozitivet. Gjithmonë e më shumë në fjalorin tonë po zënë vend fjalë që nuk janë pozitive”, tha ai. 

Më tej, ministri kerkoi që nisma të tilla të përhapen edhe tek të rinjtë shqiptarë në mbarë botën, kjo pasi sipas tij, problematika është e njëjtë.

“Ne nuk mund t’i ngremë projektet vetëm për shqiptarët e Shqipërisë dhe Kosovës. Ne duhet të mendojmë edhe për shqiptarët e diasporës”, tha Klosi.

Sakaq, Klosi i konsideroi të rinjtë ambasadorët më të mirë të përçimit të fjalës dhe ideve të mira në shoqëri, për t’u shkëputur nga urrejtja. Gjatë aktivitetit, të rinjtë shkembyen ekperienca dhe ndanë ide me njëri-tjetrin. 

SHKARKO APP