Klosi inspekton bizneset: Situata në tregun e punës, paradoksale

 

Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë i është bashkuar sot fushatës mbarë europiane lidhur me sigurinë dhe shëndetin në punë. Në kuadër të kësaj fushate, ministri Blendi Klosi, i shoqëruar edhe nga drejtori i Inspektoratit të Punës, Dritan Ylli dhe përfaqësues të sipërmarrjes, ka inspektuar sot kushtet e sigurisë në punë të një prej bizneseve më të rëndësishme që vepron në zonën industriale përgjatë segmentit të autostradës Tiranë-Durrës. Klosi ka parë nga afër kushtet që ofronte ky biznes sa i përket mbrojtjes së interesave të punëmarrësve, si dhe ka biseduar nga afër me sipërmarrësit, por edhe me punëtorët e kësaj fabrike. Në fjalën e tij, ministri ka theksuar rëndësinë që ka jo vetëm për punëtorët, por edhe për vetë punëmarrësit garantimi i standardeve të kërkuara të sigurisë. Kjo pasi sipas tij, kostoja e krijimit të këtyre kushteve dhe standardeve është më e vogël sesa kostoja që do duhet të përballonte shpenzimet për çdo aksident që mund të ndodhë si pasojë e mungesës së këtyre kushteve.

“Është një moment që na bën të mendojmë se duhet ta rikthejmë vëmendjen në këtë aspekt dhe kjo jo vetëm se është një kërkesë ligjore për mbrojtjen e jetës së punëmarrësve në vendin tonë, por edhe se kërkohet që vetë biznesi ta kuptojë këtë aspekt si shumë domethënës dhe të rëndësishëm në aktivitetin e tyre. Në Shqipëri nuk kemi shifra të ekzagjeruara të aksidenteve, por biznesi shqiptar duhet ta kuptojë që rritja e sigurisë, e cilësisë dhe shëndetit në punë është një mundësi më pak për shpenzime për ta dhe minimizim i probabilitetit për ndodhjen e tyre”, – tha ministri Klosi. Ai ka gjetur edhe një herë rastin të bëjë apel për një vëmendje më të madhe karshi arsimit profesional, pasi siç u shpreh ministri, të dhënat nga zyrat e Punës tregojnë se sot janë 26 800 vende pune që kërkojnë punonjës të kualifikuar.

“Në bisedë me shumë biznesmenë, në bisedë me gjithë ata që ofrojnë punë, ne shohim se kemi një situatë paradoksale në vendin tonë. Në zyrat tona të Punës, sot kemi plot 150 mijë veta që kërkojnë punë, ndërkohë që po në të njëjtat zyra dhe sportele kemi 26 800 vende të lira pune. Pra, biznesi kërkon punë, Shqipëria nuk ofron punonjës të kualifikuar”, – tha Klosi. Një tjetër aspekt ku duhet të ketë një qasje tjetër për të rritur punësimet në vend, sipas ministrit janë dhe zyrat e Punës, të cilat duhet të kalojnë nga roli i tyre pasiv në një rol më aktiv. “Zyrat tona të Punës në gjithë Shqipërinë duhet ta ndërrojnë krejtësisht aktivitetin e tyre, duhet të jenë shumë më tepër aktive dhe duhet të jenë shumë më tepër në detyrën që ato kanë që të ofrojnë negociata midis biznesit dhe punëmarrësit, me qëllim që të kemi mundësi që në shkallë vendi këto vende të reja pune t'u bëhen me dije qytetarëve shqiptarë dhe të kemi mundësi që zyrat e Punës të mos jenë zyra pasive dhe që marrin vetëm ankesat e qytetarëve, por edhe t'ua zgjidhin ato”, – u shpreh Klosi.

SHKARKO APP