Klosi: Ligj i posaçëm për Vullnetarizmin, ta kthejmë në traditë

 

Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, në bashkëpunim me Shërbimin Kombëtar për Rininë, kanë organizuar sot aktivitetin me temë “Nënë Tereza, Ambasadore e Paqes dhe Vullnetarizmit”, ku veç ministrit Blendi Klosi, ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, si dhe përfaqësues të “Peace Corp Albania”, pjesëtarë të organizatave të shoqërisë civile, aktive në fushën e vullnetarizmit, si dhe të rinj vullnetarë.

Takimi u mbajt me rastin e 12­-vjetorit të Lumturimit të Nënë Terezës nga Papa Gjon Pali II dhe kishte për qëllim jo vetëm përkujtimin dhe lartësimin e figurës, por më së shumti, të punës së saj të përditshme në shërbim të paqes dhe solidaritetit njerëzor me më të varfrit dhe ata që janë në nevojë.

Në fjalën e tij, kryeministri Edi Rama vlerësoi veprën e Nënë Terezës si një mbartëse e vlerave më të mira të njeriut në shërbim të shoqërisë, ndërsa theksoi se pikërisht këto vlera duhet të përqafohen gjithmonë e më shumë nga shoqëria jonë.

“Nëse i besojmë Nënë Terezës, mjaft të kujtojmë një fjalë të saj: ‘Mos prisni një lider t’ju thotë se çfarë duhet të bëni, por bëni atë që mundeni person me person’. Ndoshta askush prej jush nuk do të përjetojë përvojën mistike dhe rrugëtimin unikal të Nënë Terezës dhe të motrave të saj, megjithatë çdonjëri prej jush, çdonjëri prej nesh kur është fjala për të qenë vullnetar për një kauzë të madhe apo të vogël, por në thelb çdo kauzë që i shërben qoftë edhe një njeriu të vetëm është e madhe sa vetë njerëzimi, jemi sidoqoftë të thirrur të mbartim përkushtimin dhe vetëmohimin që rrezaton në madhështi figura dhe rruga e Nënë Terezës”, – tha Rama në fjalën e tij.

Ndërsa ministri Klosi ka theksuar angazhimin e MSR-­së që këto vlera t’i bëjë pjesë të legjislacionit shqiptar, duke hartuar një ligj të posaçëm për Vullnetarizmin.

“Kur më mirë se sot, mund të bëjmë sadopak nga puna e kësaj gruaje të madhe, që e bëri të njohur vendin tonë në të gjithë botën, duke nisur së bashku punën për hartimin e ligjit të Vullnetarizmit? Kur më mirë se në këtë ditë të lumturuar, mund të fillojmë kontributin dhe angazhimin tonë qytetar duke promovuar dhe mbështetur më tej kulturën më të thjeshtë, atë të kontributit njerëzor dhe human?”, – u shpreh ministri Klosi.

Ai shtoi se puna e vërtetë nuk do jetë thjesht bërja e një ligji, por krijimi i një debati të gjerë në opinionin publik për të nxitur vullnetarizmin si pjesë e vlerave të shoqërisë sonë, të cilin e promovoi më së miri Nënë Tereza me punën e saj të përditshme.

“Vetëm angazhimi i të gjithë rrjetit të të rinjve vullnetarë do të mund ta shndërrojë Vullnetarizmin në traditën shqiptare, në pjesë të kulturës dhe shoqërisë, në angazhim qytetar dhe formim lidhjesh shoqërore”, – tha Klosi.

SHKARKO APP