Klosi në darkën e shtruar nga Hollande: Bashkëpunimi dhe komunikimi janë e ardhmja
Ministri i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi mbajti fjalën e hapjes në emër të ministrave të rajonit, në darkën e shtruar nga Presidenti francez, Hollande, në prani të kancelares gjermane Angela Merkel.
Në fjalën përpara drejtuesve të lartë të BE-së dhe rajonit, ministri Klosi vuri theksin tek vendimi historik i bashkëpunimit rajonal, përmes ngritjes së RYKO ( Zyrës së Bashkëpunimit Rinor Rajonal ) me seli në Tiranë.
Ministri Klosi deklaroi se mesazhi që kjo vendimmarrje e politikanëve në Ballkan, është një mesazh shumë i fortë për të rinjtë e këtij rajoni: bashkëpunimi dhe komunikimi janë e ardhmja.
Vendimi i kryeministrave të rajonit të Ballkanit, me nxitjen dhe mbështetjen e pakushtëzuar të liderëve europianë, tha Klosi, është një vendim që duhet të bëjë krenar çdo firmatar të kësaj marrëveshjeje, pasi i ka bërë një shërbim të madh të rinjve të vendit të tij, të rinjve të Ballkanit.
“Nga kjo pjesë e Europës mesazhi që duhet ti japim botës tashmë, është rritja e komunikimit mes njëri – tjetrit”, deklaroi ministri Klosi, duke shtuar se kjo është rruga e ecjes më shpejt drejt BE-së.
Ai kujtoi se Shqipëria dhe Serbia e nisën këtë proces si fillim, duke ngritur bashkëpunimin bilateral si një shembull mëse i nevojshëm në rajon. Memorandumi I bashkëpunimit rinor shqiptaro – serb i nëntorit të 2014-tës, u transformua në një platformë konkrete e bashkëveprimit të të rinjve të Shqipërisë dhe Serbisë.
“Vendet tona kanë shumë të përbashkëta, elementë më shumë sesa të mjaftueshme për të rrëzuar muret e ndarjes dhe ndërtuar ura bashkëpunimi më shumë sesa të mjaftueshme për të rrëzuar muret e ndarjes dhe ndërtuar urat e bashkëpunimit. Historia jonë gjeopolitike, ka sjellë tashmë nevojën e përdorimit të forcave tona në shërbim të asaj që na bashkon, për një të ardhme më të mirë dhe më të sinkronizuar të rajonit tonë. Ne duam ti japim jetë RYKO –s ( Zyra Rajonale Rinore) përmes organizmit të aktiviteteve të përbashkëta, me një axhendë të përbashkët të 6 vendeve” – deklaroi ministri Klosi, i cili falenderoi Presidentin francez dhe kancelaren gjermane për nxitjen dhe mbështetjen që i dhanë këtij procesi.


KOHA JONË SONDAZH

