Klosi në Gjermani: Hapa konkretë për krijimin e “German brand schools“

 

Në ditën e dytë të qëndrimit në Gjermani, ministri Klosi zhvilloi një takim me Sekretarin e Shtetit në Ministrinë Federale të Punës dhe Çështjeve Sociale, z. Jörg Asmussen, me të cilin diskutoi mbi mundësitë që ekzistojnë për të çuar më përpara ndihmën gjermane në fushën e Arsimit Profesional në shkollat tona.

Ministri Klosi parashtroi nevojën për një rritje efektive dhe cilësore të sistemit dual të trajnimit, duke reduktuar kështu disbalancën që ekziston mes shifrave të papunësisë dhe vendeve vakante në tregun e punës. Ai bëri të ditur se kjo disbalancë ka si shkak mungesën reale të punonjësve të mirëkualifikuar në profesione specifike.

Më tej ai u shpreh se tashmë është shumë e rëndësishme që të kalohet në veprime dhe rezultate konkrete për krijimin e “German brand schools“. Ministri paraqiti të dhëna konkrete, duke informuar se aktualisht ka rreth 1500 punëkërkues gati për t’u trajnuar dhe rreth 50 shkolla, 15 prej së cilave në gjendje mjaft të mirë si godina, por me një nevojë të madhe për një “know – how“, e cila do të bënte të mundur që në 3–5 vjet të krijohej një brez i kualifikuar profesionistësh.

Ai theksoi se koha është një element i rëndësishëm për të filluar sa më parë implementimin e planeve afatshkurtra të trajnimit.

Ndërsa Asmussen në fjalën e tij bashkëndau idenë e ministrit Klosi se, trajnimi dhe krijimi i një klase të mesme të popullsisë është një element i rëndësishëm për çdo sistem demokratik. Gjithashtu, Sekretari Federal i Shtetit sugjeroi një bashkëpunim më të ngushtë me landet e veçanta, sidomos ato që janë më pak të “lakmuara“ nga të gjitha shtetet.

Z. Asmussen informoi se GIZ (GTZ) dhe KfW, të cilat janë tashmë të pranishme në Shqipëri, mund të jenë aktive, sa i takon sistemit të Arsimit Profesional, bazuar në një ndarje të mirëfilltë pune. Po gjatë ditës së dytë të kësaj vizite, ministri Klosi pati një takim edhe me parlamentarin Peter Weiss, kryetar i Grupit Parlamentar të Miqësisë për Evropën Juglindore dhe njëkohësisht anëtar i Komisionit parlamentar për Punën dhe Çështjet Sociale. Marrëdhëniet bilaterale, bashkëpunimi rajonal, mbështetja e biznesit dhe çështja e azilkërkuesve ishin në qendër të bisedës së zhvilluar me parlamentarin Weiss. Sa u përket azilkërkuesve, Parlamentari gjerman theksoi nevojën për të informuar popullsinë se azili nuk është mënyra e duhur ligjore për zgjidhjen e problemeve.

SHKARKO APP