Klosi: Urdhrat absurdë të Majkos penguan armët për UÇK-në

 

Ish-shefi i SHISH, Fatos Klosi, iu përgjigj Pandeli Majkos duke i kujtuar se gjatë luftës së Kosovës në krye të qeverisë shqiptare ka penguar me urdhrat që jepte armatosjen e UÇK-së.

Duke iu përgjigjur akuzës së Majkos se “Klosi nuk ka luftuar në Kosovë”, ish-kreu i SHISH i kujton atij se si atëherë edhe sot, nuk e ka kuptuar se si është bërë lufta e UÇK-së për çlirimin e Kosovës.

Në një reagim me nëntë pika, Fatos Klosi i kujton Majkos, në atë kohë Kryeministër i Shqipërisë, se debatin me Isa Mustafën e bëri pas cilësimit të tij nga Kryeministri kosovar si kryespiun që ka bashkëpunuar me serbët.

“Ti prapë gabon, kur debatin tim me Isën e mendon si debat shterpë me ‘heronj’ dhe ‘tradhtarë’ për luftën e Kosovës që janë në kohën dhe vendin më të keq, për momentin që kalon Kosova dhe shqiptarët në rajon. Debati nuk është as për heronj as për tradhtarë, është për një çështje parimore të historisë moderne të Kosovës”, shkruan Klosi në reagimin e tij.

Në lidhje me akuzat ndaj Rugovës, Klosi sqaron se nuk ka fyer Ibrahim Rugovën, por ka thënë se filozofia e tij u provua me luftën e UÇKsë se nuk mund të çonte në çlirimin e Kosovës

"Ti ke të drejtë kur thua se 'Klosi nuk ka luftuar me armë në dorë', por me këtë shprehje, ti tregon se asnjëherë nuk e kuptove luftën e UÇK-së, as atëherë kur ishe Kryeministër dhe me sa duket as sot akoma s’e ke të qartë. UÇK-ja nuk kishte nevojë për ushtarë që të mbanin armë në dorë, kishte shumë të tillë, gjithë rininë patriote kosovare, asaj i mungonin armët dhe municionet e tyre dhe ti këto i pengove me urdhrat e tu absurdë. Ke shumë gjynahe në këtë aspekt.

Prandaj asnjëherë mos prit që dikush prej tyre të të lavdërojë për këto veprime, që të mos flasim për të tjera çështje, mbase më pak të rëndësishme. Sa për kontributin tënd dhe të Qeverisë që drejtoje, gjatë eksodit të popullit të Kosovës, të mburra sa munda dhe nuk ta mohon njeri meritën" thotë Klosi.

SHKARKO APP