
Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) përcaktoi 5 dhjetorin si datën e përfundimit të mandatit shtatëvjeçar të Prokurorit të Përgjithshëm, Olsian Çela. Vendimi u mor gjatë seancës plenare të zhvilluar sot online, ku Këshilli shqyrtoi disa çështje që lidhen me vlerësimin e magjistratëve, verifikimin e kandidatëve për prokurorë dhe administrimin e vendeve vakante në sistemin e prokurorisë.
Në kuadër të procesit të vlerësimit etik dhe profesional, KLP miratoi raportet për prokurorët Dashnor Nure dhe Bledar Valikaj, të cilët morën nga 392 pikë secili, duke u vlerësuar në nivelin “Shkëlqyeshëm”. Gjithashtu, Këshilli miratoi pesë projektvendime për verifikimin e pasurisë dhe figurës së kandidatëve për magjistratë prokurorë, të diplomuar në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2026: Ester Ruçi, Raklent Cami, Alba Bracaj, Aurora Vorfi dhe Indrit Batuni.
Sa i përket procedimit disiplinor ndaj prokurores Sonila Qerolla, me detyrë në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, Këshilli caktoi datën 19 nëntor, ora 10:00, për shpalljen e vendimit. Gjatë mbledhjes u shqyrtua edhe plotësimi i përkohshëm i dy vendeve vakante në Prokurorinë e Elbasanit, nëpërmjet transferimit të përkohshëm me pëlqim.
Për këtë qëllim, KLP përcaktoi një afat prej pesë ditësh për paraqitjen e aplikimeve nga prokurorët e interesuar. Projektvendimi për pezullimin e procedurës së vlerësimit etik dhe profesional të prokurores Ermira Manelli u tërhoq nga relatori dhe do të shqyrtohet në seancën e ardhshme plenare.
