KLSH auditon “zyrën problematike” të Kadastrës së Vlorës
Kontrolli i Lartë i Shtetit ka nisur një kontroll në zyrën e Kadastrës së Vlorës, një institucion problematik i cili gjatë vitit të fundit ka ndryshuar gati dhjetë drejtues të dorëhequr njëri pas tjetrit pak ditë pasi kanë marrë detyrën.
Për shkak të problematikave me tokat në bregdet por edhe mungesës së auditimit prej vitesh, Kontrolli i Lartë i Shtetit, ka krijuar një grup pune, për të kaluar në skaner punën e bërë dhe ligjshmërinë e regjistrimit, të pronave në qytetin bregdetar.
Kontrolli është urdhëruar nga kreu i KLSH-së, në një kohë kur hipoteka e Vlorës, nuk po gjen qetësi për sa i përket emërimit të drejtuesve të saj.
Auditimi është në ditët e para dhe sipas procedurave të KLSH-së duhen 4 apo 6 muaj kohë për të dalë në një konkluzion përfundimtar, për sa i përket nivelit të shkeljeve dhe abuzimit të mundshëm nga ana e zyrtarëve në regjistrimin e pronave.
Kontrolli që po kryhet nga një grup audituesish, është i vetmi pas gati 8 vitesh në këtë hipotekë, pasi askush nga zyrtarët e kësaj hipoteke, nuk i është nënshtruar auditimeve nga KLSH.
Zyra hipotekore e Vlorës konsiderohet si më problematikja në vend, për shkak se brenda një viti e gjysëm, janë ndryshuar mbi 10 drejtues. Problemat me tokat në bregdetin e Vlorës, korrupsioni dhe prezenca e krimit të organizuar në tjetërsimin e tokave, ka bërë që kadastra e Vlorës të konsiderohet si më problematikja.
Vetëm një ditë më parë një punonjësi të hipotekës së Vlorës i dogjën automjetin ndërkohë që prokuroria e qytetit ka regjistruar procedime penale për dhjetëra hektarë tokë të tjetërsuar apo të mbivendosur në zonën e bregdetit. Ekspertët e KLSH-së, kanë shtrirë kontrollin e tyre dhe në dy institucione të tjera si spitali rajonal dhe spitali psikiatrik.